
Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) ka paralajmëruar ndërprerje të planifikuara të energjisë elektrike në disa rajone të Kosovës, për shkak të punimeve për mirëmbajtjen dhe sigurinë e rrjetit energjetik.
Sipas orarit të publikuar për të mërkurën, 4 nëntor, ndërprerjet në disa zona parashihen të zgjasin deri në 10 orë.
Në mesin e rajoneve të përfshira janë Prishtina, Peja, Prizreni, Ferizaj, Gjakova dhe Gjilani.
Prishtinë
Në lagjen Arbëria, disa pjesë do të mbesin pa energji elektrike nga ora 09:00 deri në 18:00, për shkak të punimeve për konvertimin e rrjetit nga 10kV në 20kV.
Ndërprerje janë paralajmëruar edhe në Kodrën e Trimave, nga ora 08:00 deri në 18:00, varësisht nga zona, si dhe në rrugën Kukësi nga ora 09:00 deri në 18:00.
Në Uglar, ndërprerja është planifikuar nga ora 10:00 deri në 14:00.
Pa energji elektrike pritet të mbesin edhe Sibofci, Lluzhani, Penuha, Lupçi i Epërm, Lluga, Majaci dhe Popova, nga ora 10:00 deri në 14:00.
Në disa pjesë të Graçanicës dhe zonave përreth janë paralajmëruar ndërprerje nga ora 10:00 deri në 16:00.
Pejë
Në Gurrakoc, Prekallë, Trubohoc, Zabllaq, Zallq, Osojan dhe disa lokalitete të tjera, ndërprerjet janë planifikuar nga ora 08:00 deri në 14:00.
Ndërkaq, në pjesë të rrugëve Ahmet Krasniqi dhe Hysni Rama, energjia elektrike do të ndërpritet nga ora 10:00 deri në 13:00.
Prizren
Në Lubishtë, Korishë, Lutogllavë, Malësi të Re, Studençan, Velezhë, Reçan dhe disa zona të tjera, ndërprerjet janë planifikuar nga ora 09:00 deri në 14:00.
Në disa fshatra të Dragashit, përfshirë Restelicën, Mlikën, Glloboçicën dhe Krushevën, ndërprerjet priten nga ora 10:00 deri në 14:00.
Ndërprerje do të ketë edhe në Mamushë, Leshan, Neprebishtë dhe lokalitete përreth, nga ora 09:00 deri në 14:00.
Ferizaj
Në Bablak, Babush, Mirash, Surqinë, Tërn, Rubofc dhe disa lokalitete të tjera, ndërprerjet janë planifikuar nga ora 10:00 deri në 15:00.
Në Kaçanik dhe disa fshatra përreth, ndërprerjet priten nga ora 09:30 deri në 14:00.
Gjakovë
Në Bellacërkë, Sapniq dhe Fortesë, ndërprerjet janë planifikuar nga ora 09:00 deri në 17:00.
Ndërkaq, në disa rrugë të qytetit të Gjakovës, përfshirë Hysni Dobruna, Dëshmorët e Lirisë, Ismajl Qemajli, Martin Camaj, Skënderbeu dhe Migjeni, ndërprerjet janë paraparë nga ora 09:00 deri në 16:00.
Gjilan
Në Kamenicë dhe disa fshatra përreth, përfshirë Strezocin, Reçanin, Hajnocin, Krilevën dhe Kremenatën, ndërprerjet janë planifikuar nga ora 10:00 deri në 14:00.
Në qytetin e Gjilanit, disa pjesë të rrugëve Dardania, Prishtinës, Nëna Terezë, NATO, Beqir Musliu dhe rrugëve të tjera do të mbesin pa energji elektrike nga ora 09:00 deri në 15:00.
KEDS ka bërë të ditur se ndërprerjet janë të nevojshme për mirëmbajtjen preventive, eliminimin e defekteve të identifikuara dhe realizimin e projekteve investive në rrjetin elektrik.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali