Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Taulant Kelmendi, ka bërë të ditur se ka filluar rehabilitimi i rrugës Pejë-Kuçishtë, e cila lidh qytetin e Pejës me vendbanimet e Rugovës.
Kelmendi ka thënë se kjo rrugë nuk shërben vetëm për turizëm, por është e rëndësishme edhe për banorët e 13 fshatrave të Rugovës.
“Prandaj, rehabilitimi i saj është një masë e domosdoshme, që gjatë muajve të dimrit banorët të kenë qasje më të sigurt dhe më të lehtë në vendbanimet e tyre”, ka shkruar ai.
Deputeti i LVV-së ka bërë të ditur gjithashtu se përfaqësuesve të komunitetit të banorëve u është prezantuar projekti për ndërtimin e rrugës së re Pejë-Kuçishtë-Çakorr, i cili përfshin edhe ura të reja, tunele dhe galeri.
Sipas tij, projekti ka vlerë mbi 22 milionë euro dhe pritet të nisë në fillim të vitit të ardhshëm.
“Ky projekt, me vlerë mbi 22 milionë euro, pritet të fillojë në fillim të vitit të ri. Sugjerimet dhe vërejtjet e banorëve, krahas vlerësimeve të inxhinierëve, do të trajtohen një për një nga Ministria e Infrastrukturës”, ka deklaruar Kelmendi.
Ndërkaq, lidhur me fillimin e rehabilitimit të kësaj rruge ka reaguar edhe shefi i kabinetit të kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri, Faik Zekaj, i cili ka kritikuar Qeverinë për vonesën në ndërhyrjen në këtë segment rrugor.
Ai ka thënë se bëhet fjalë për mbushjen e gropave në rrugë, duke theksuar se mirëmbajtja e saj, si gjatë dimrit ashtu edhe gjatë verës, është përgjegjësi e nivelit qendror.
“Qeveria Kurti, pas 6 vitesh në pushtet, po paralajmëron se ka filluar rehabilitimin (mbushjen e gropave) në rrugën Pejë – Kuçishtë. Shumë mirë, edhe pse sezoni i dimrit po vjen!”, ka shkruar Zekaj.
Ai ka rikthyer edhe diskutimet për gjendjen e rrugëve në fshatrat e Pejës, duke thënë se ato janë më të mira se rruga kryesore pikërisht për shkak të nivelit të ndryshëm të përgjegjësisë për mirëmbajtjen e tyre.
“Në shumë biseda që kemi pasur: pse rrugët e fshatrave janë më të mira se rruga kryesore, sepse rruga kryesore menaxhohet nga Qeveria, ndërsa rrugët e fshatrave nga Komuna!”, ka shkruar ai.
Në fund, Zekaj ka shprehur pritjen që ndërhyrjet për rehabilitimin e rrugëve të vazhdojnë edhe në segmentin e Tranzitit në Pejë.
“Shpresoj që shumë shpejt të fillojnë edhe Tranzitin me rehabilitu!”, ka përfunduar ai. /Telegrafi/