
Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar lidhur me interpretimin e këngës nacionaliste serbe në aktivitetin e organizuar nga Bashkimi Evropian në Bruksel.
Përmes një postimi në Facebook, Osmani ka kritikuar situatën, duke thënë se pasojat e largimit të aleatëve nuk po i bart pushteti, por Kosova.
“Aleatët nuk i largon dot pa pasoja. Armiqtë nuk presin derisa ti ta kuptosh dëmin. Dhe këtë çmim nuk po e paguan pushteti, por Kosova”, ka shkruar Osmani, transmeton Klankosova.tv.
Ajo ka përmendur edhe interpretimin e këngës nacionaliste serbe në organizimet e BE-së, duke theksuar se Kosova as nuk ishte e ftuar në këtë aktivitet.
“Sot, përmes këngëve nacionaliste serbe në organizime të BE-së, ku Kosova as nuk ftohet. Nesër, me goditje edhe më të rënda”, ka deklaruar ish-presidentja.
Osmani ka kërkuar që organizatorët e forumit të japin shpjegime dhe të mbajnë përgjegjësi për atë që e ka cilësuar si akt të papranueshëm.
Ajo ka kritikuar pushtetin aktual, duke thënë se Brukseli nuk mund t’i zëvendësojë miqtë që, sipas saj, institucionet e Kosovës i kanë larguar me veprimet e tyre./Klankosova.tv