“Keni mashtruar për 7 milionë euro”, Rrahmani përplaset me Rizvanollin për gjetjet e auditorit

“Keni mashtruar për 7 milionë euro”, Rrahmani përplaset me Rizvanollin për gjetjet e auditorit

Written by

in

Gjetjet e auditorit për pasqyrat financiare të Ministrisë së Ekonomisë për vitin 2025 kanë nxitur përplasje mes pozitës dhe opozitës.

Gjatë raportimit të ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike, deputeti i PDK-së, Eman Rrahmani, e akuzoi atë se e kishte lënë “Kosovën në terr”, ndërsa kritikoi deputetin e VV-së, Jeton Raka, se po përpiqej ta mbronte ministren duke kërkuar llogari nga përfaqësuesit e Zyrës Kombëtare të Auditimit.

Rrahmani akuzoi Rizvanollin për keqraportim të vlerës së pasurive, duke thënë se mbivlerësimi prej afro 7 milionë eurosh është çështje serioze që ka ndikuar në dhënien e opinionit të kualifikuar.

“Paramendojeni, ministria thotë për të gjeturin A1, ku vlerën e pasurive ju ka thënë që në Ministrinë e Ekonomisë pasuritë janë më të mëdha, i ka paraqitur diku për 7 milionë euro më të mëdhaja sesa që janë. Në fakt, edhe vjen, thotë këtu që është diçka e thjeshtë, nuk është përmbajtësore, auditori i ka pasë disa të gjetura të cilat, domethënë, për opinionin publik, kjo ministre, në raportin kur ka shku me auditu Zyra Kombëtare e Auditimit, e ka gjetë që në raportet financiare ka mashtru për mbivlerësim të 7 milionë euro të pasurive. Po ashtu, nuk i ka paraqitur 181 000 euro pronësi objekte, projekte, pra ka pasë nënvlerësim në pjesë tjetër të kësaj. Kjo është e gjetur e auditorit të cilën nuk po e them unë, po e ka gjetur bazë të auditimit edhe kontrollit që ju ka bo juve si Ministri, Zyra Kombëtare e Auditimit, edhe për këtë arsye e keni opinion të kualifikuar”, tha ai.

Rizvanolli e cilësoi dramatike qasjen e deputetit, duke argumentuar se projektet e efiçiencës së energjisë janë realizuar dhe se gjetjet lidhen me procedurat administrative të bartjes dhe regjistrimit të pasurive.

“Sa i përket çështjes së mbivlerësimit të pasurive, unë nuk e kuptoj, nuk pajtohem me qasjen tuaj dramatike. Sigurisht që vlera është e madhe, mirëpo unë nuk jam e shqetësuar për faktin që investimi është kryer. Investimi është kryer si duhet dhe jemi duke folur për procedura administrative të cilat marrin kohë e të cilat në fakt ndoshta duhet edhe të rishikohen mënyra se si menaxhohen dhe si regjistrohen si procese, duke qenë se kjo është një çështje të cilën jo vetëm ne si ministri, mirëpo të gjitha institucionet e kanë. Unë do të isha shumë e shqetësuar sikur investimi të mos realizohej ose të mos realizohej si duhet”, tha ministrja.

Rrahmani këmbënguli se ministrja po minimizonte gjetjet e auditorit, duke përmendur mbivlerësimin e pasurive prej 6.996.517 eurosh dhe nënvlerësimin prej 181.345 eurosh.

“Të dyja jeni e pasaktë në bazë të raportit. Po flas jo se jam duke folur veç në bazë të gjeturve të Zyrës Kombëtare të Auditimit, të mbivlerësuara, në fakt, të cilat pasuritë vlera e pasurive është mbivlerësuar për 6 milion e 996 mijë e 517 euro. Në raportet financiare ju e keni qenë që keni pasuri 7 milion euro auditori ka thënë që s’keni. E keni edhe për këtë arsye që kjo është në fakt baza kryesore pse opinioni është i kualifikuar. E dyta, ju po thoni që në të kaluarën ka pasur si s’ju paraqit. Menjëherë në vazhdim të saj ne kemi 181 mijë e 345 euro përfshihet mosbartja e pronësisë së projekteve, raportim i pasaktë dhe pasuri të paregjistruara në ministrinë e ju. Domethënë i keni të dyjat, edhe ato për çka po ju akuzon më herët, edhe, edhe këto tash. Unë i di që ti as nuk e pranon se s’e ke pranuar në një farë mënyre as të gjeturat, edhe pse i ke zyrtarisht i ke pranuar, i ke nënshkruar”, tha deputeti.

Ministrja hodhi poshtë pretendimet për fshehje apo mashtrim, duke sqaruar se bëhet fjalë për investime të realizuara në komuna, pronësia e të cilave duhej të bartej tek institucionet përfituese.

“Është tepër jo korrekte prej anës suaj me i interpretu në mënyrë të tillë dhe me i vazhdu me i interpretu në mënyrë të tillë. Pasuria në të gjithë këtu, besoj rreth kësaj tavoline, besoj edhe publiku po e kupton për çfarë është fjala. Nënvlerësimi është gjetur për arsye se figurojnë tek ne investime në efiçiencë të energjisë, të cilat janë bërë në komunë të Drenasit, Mitrovicës e ku e di unë. Sigurisht që këto nuk janë pasuri të Ministrisë së Ekonomisë dhe që duhet të barten dhe janë në proces, në fakt shumica e tyre tanimë janë bartur, mirëpo ta interpretosh këtë si një të gjetur dramatike, fshehje mashtrime të tjera, thjesht nuk është e saktë”, tha ministrja. /KP/