Dy avionë të kompanisë Ryanair, të nisur nga Dublini dhe Lisbona, iu nënshtruan kontrolleve në aeroportin Fiumicino të Romës pas kërcënimeve anonime. Fluturimi nga Dublini u shoqërua nga avionë ushtarakë italianë deri në ulje.
Kontrolle të ngjashme u zhvilluan edhe në Poloni, Spanjë dhe Bullgari. Në këtë të fundit, ministri i Transportit, Georgi Peev, konfirmoi kërcënimet ndaj dy fluturimeve drejt Sofjes, nga Bergamo dhe Dublini, raporton BBC.
Qeveria britanike i cilësoi këto raste si “kërcënime të qëllimshme dhe të rreme”, ndërsa autoritetet europiane po bashkëpunojnë për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për një veprim të koordinuar që synon të shkaktojë kaos në trafikun ajror.
Ndërkohë, një alarm i veçantë u regjistrua në Greqi, ku kërcënimi për bombë në anijen turistike “Crown Iris” shkaktoi evakuimin e 1 537 personave. Edhe në këtë rast, kontrollet paraprake rezultuan negative.
Incidentet vijnë një ditë pas një alarmi tjetër ndaj një fluturimi të Wizz Air nga Londra drejt Budapestit, i cili u detyrua të kryente ulje emergjente nën shoqërimin e një avioni luftarak hungarez.
Deri më tash, të gjitha kontrollet e kryera kanë rezultuar pa prova për praninë e mjeteve shpërthyese.
Burimi: RTKLive
