Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica” ka njoftuar se ekipet e mirëmbajtjes do të kryejnë intervenime në rrjetin e ujësjellësit dhe atë të kanalizimit në disa lokacione.
Sipas njoftimit, intervenimet në rrjetin e ujësjellësit do të përfshijnë rrugët “Kullat Shqiptare”, “Nexhip Draga”, “Lah Nimani”, “Mehdi Haradini”, “Dibra” dhe “Rudarske Čete”, si dhe fshatrat Shupkofc e Rekë dhe lokalitetin Suhodoll.
Ndërkaq, punime në rrjetin e kanalizimit do të kryhen në rrugët “Faruk Spahiu”, “11 Marsi” dhe “Rudarske Čete”, si dhe në fshatrat Kçiq e Koshtovë.
KRU “Mitrovica” ka paralajmëruar se gjatë punimeve në rrjetin e ujësjellësit mund të ketë ndërprerje të përkohshme të furnizimit me ujë.
Po ashtu, pas rikthimit të furnizimit, uji mund të jetë përkohësisht i turbullt. Në këto raste, kompania u ka bërë thirrje konsumatorëve që ta lënë ujin të rrjedhë për disa minuta, derisa të kthjellohet.
Kompania ka falënderuar konsumatorët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin. /Telegrafi/