Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka dënuar ashpër sulmin ndaj gjyqtares së Gjykatës Themelore në Gjilan, dega në Viti, Qëndresa Sejdiu.
Sipas njoftimit të KGJK-së, sulmi ka ndodhur pasditen e 4 nëntorit , në fshatin Sadovinë e Jerlive, në Komunën e Vitisë, njofton Dukagjini.
KGJK ka vlerësuar se sulmet ndaj gjyqtarëve janë të papranueshme dhe të patolerueshme, duke theksuar se akte të tilla përbëjnë sulm ndaj sistemit të drejtësisë dhe sundimit të ligjit.
Këshilli ka shprehur mbështetjen për gjyqtarët në ushtrimin e detyrave të tyre në mënyrë të pavarur, të paanshme dhe profesionale, në shërbim të drejtësisë dhe interesit publik.
Njëkohësisht, KGJK u ka bërë thirrje organeve kompetente që të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për hetimin e menjëhershëm të rastit, si dhe të garantojnë mbrojtjen dhe sigurinë e gjyqtarëve, në përputhje me detyrimet kushtetuese dhe ligjore.
Burimi: Dukagjini
