
Papunësia e mjekëve, mungesa e specializimeve dhe ikja e profesionistëve shëndetësorë jashtë vendit janë ndër problemet me të cilat vazhdon të përballet sistemi shëndetësor në Kosovë.
Kiks Kosova ka trajtuar shqetësimet e studentëve të Fakultetit të Mjekësisë, përvojat e profesionistëve shëndetësorë jashtë vendit dhe vlerësimet e njohësve të sektorit për situatën aktuale.
Besfort Racaj, absolvent i Fakultetit të Mjekësisë dhe pjesë e Këshillit Studentor, ka folur për tetë kërkesat e përbashkëta të studentëve dhe profesionistëve shëndetësorë, të cilat i janë adresuar Qeverisë së Kosovës.
Një ndër shqetësimet kryesore të tyre është konkursi për 313 vende të shkollimit specialistik, i shpallur pas dy vitesh pritje. Sipas Racajt, shumica e vendeve janë për shërbime familjare dhe konkursi nuk përputhet me nevojat reale të mjekëve të rinj dhe sistemit shëndetësor.
Një tjetër rrëfim në emision është ai i psikiatrit Liron Pepshi, i cili pas përfundimit të studimeve u detyrua të vazhdonte karrierën jashtë Kosovës, fillimisht në Gjermani e më pas në Luksemburg.
Pepshi kishte planifikuar të kthehej në vendlindje dhe të kontribuonte në fushën e shëndetit mendor. Megjithatë, përkundër përpjekjeve për të kontaktuar Ministrinë e Shëndetësisë dhe për të gjetur mundësi angazhimi, ai thotë se nuk mori përgjigje konkrete.
Për problemin e papunësisë së mjekëve kanë folur edhe njohësit e shëndetësisë, Saranda Ramaj, Bujar Vitija dhe Arbreshë Uka.
Ramaj ka rrëfyer rastin e një mjekeje që, ndonëse ka përfunduar specializimin, ka mbetur pa punë dhe pa të ardhura të qëndrueshme financiare. Ajo ka vlerësuar se numri i lartë i mjekëve të papunë është dëshmi e mungesës së planifikimit afatgjatë në sektorin shëndetësor.
Të dhënat zyrtare të Odës së Mjekëve të Kosovës tregojnë se nga 5 mijë e 647 mjekë vendorë të licencuar, 521 figurojnë të papunë. Ndërkohë, çdo vit licencohen mesatarisht rreth 276 mjekë.
Në emision është trajtuar edhe deklarata e kryeministrit Albin Kurti, sipas të cilit gjatë vitit 2025 në Kosovë janë kthyer 171 mjekë për të jetuar dhe punuar. Ndërsa këshilltari i ministrit të Shëndetësisë, Durim Elshani, ka deklaruar se nga ky numër vetëm 12 janë me nënshtetësi kosovare.
Megjithatë, mbetet e paqartë nëse bëhet fjalë për kthim të përhershëm apo angazhim të përkohshëm të këtyre profesionistëve shëndetësorë.
Ndiqni në vijim kronikat e përgatitura nga Kiks Kosova për këtë çështje:
Ndiqeni emisionin e plotë: