Kirurgjia e kancerit të mushkërive të Papa Leos: çfarë lloj operacioni bëri dhe çfarë ndodh më pas?

Kirurgjia e kancerit të mushkërive të Papa Leos: çfarë lloj operacioni bëri dhe çfarë ndodh më pas?

Written by

in

Kirurgjia e kancerit të mushkërive të Papa Leos: çfarë lloj operacioni bëri dhe çfarë ndodh më pas?

Të martën, kirurgët në Romë ia hoqën pjesën e poshtme të mushkërisë së djathtë Papa Leos, pasi një kontroll rutinë shëndetësor zbuloi një masë të vogël, e cila, sipas analizave të mëvonshme, rezultoi të ishte kancer në mushkëri.

Operacioni, i njohur si lobektomi, është trajtimi standard për kancerin e mushkërive të zbuluar në fazat e hershme dhe, për shumë pacientë, mund të jetë i vetmi trajtim që u nevojitet ndonjëherë. Por, çfarë bënë saktësisht mjekët dhe çfarë pritet të ndodhë më pas?

Çfarë iu hoq?

Mushkëritë ndahen në pesë pjesë, të quajtura lobe: tri në mushkërinë e djathtë dhe dy në të majtën. Heqja e të gjithë lobit ku ndodhet tumori, në vend që të hiqet vetëm masa, u jep kirurgëve mundësinë më të mirë për të larguar të gjitha qelizat kancerogjene, së bashku me një pjesë të indit të shëndetshëm përreth.

Njerëzit mund të bëjnë jetë të plotë dhe aktive edhe me katër lobe të mushkërive, ndërsa pjesa e mbetur përshtatet gradualisht me kalimin e kohës.

Kirurgët gjithashtu heqin nyjet limfatike përreth, gjëndra të vogla që ndihmojnë në drenimin e lëngjeve nga mushkëritë, për të kontrolluar nëse kanceri ka filluar të përhapet. Nëse ato nuk përmbajnë qeliza kancerogjene, shpesh operacioni i vetëm mjafton për shërim. Deri më tani, Vatikani nuk ka bërë të ditur rezultatet e këtyre analizave.

Si u diagnostikua kaq shpejt?

Shumica e pacientëve presin dy deri në tri javë pas operacionit për t’i marrë rezultatet. Në këtë rast, Vatikani njoftoi se diagnoza, për të cilën dyshohej edhe nga skanimet e mëparshme, u konfirmua gjatë vetë ndërhyrjes kirurgjikale.

Një mënyrë e mundshme për ta bërë këtë është përdorimi i një teknike të quajtur prerje e ngrirë (frozen section). Me këtë metodë, një mostër e indit të hequr nga mushkëria dërgohet te patologu ndërkohë që pacienti është ende nën anestezi.

Indi ngrihet shpejt, pritet në shtresa shumë të holla dhe ekzaminohet nën mikroskop, duke mundësuar marrjen e një përgjigjeje brenda pak minutash.

Kjo i ndihmon kirurgët të vendosin se sa ind të mushkërisë duhet të heqin, duke ruajtur indin e shëndetshëm në rastet kur masa rezulton të mos jetë kancerogjene. Një analizë më e plotë kryhet gjatë ditëve në vijim.

Çfarë lloji kanceri është?

Kanceret e mushkërive ndahen në dy grupe kryesore, në varësi të pamjes së qelizave nën mikroskop: kanceri me qeliza të vogla dhe ai me qeliza jo të vogla.

Kanceri me qeliza jo të vogla përbën rreth 85 për qind të rasteve. Adenokarcinoma, lloji i diagnostikuar te Papa Leo, është forma më e shpeshtë e këtij grupi. Ajo priret të zhvillohet në pjesët e jashtme të mushkërive.

Kjo është forma më e zakonshme e kancerit të mushkërive te personat që nuk kanë pirë kurrë duhan, megjithëse numri i përgjithshëm i rasteve është më i lartë te duhanpirësit.

Si zbulohen këto masa?

Ashtu si në rastin e Papa Leos, shumë tumore të vogla në mushkëri zbulohen rastësisht, gjatë një skanimi ose radiografie të kryer për një arsye tjetër, apo gjatë kontrolleve rutinë shëndetësore.

Më pas, një skanim i detajuar me tomografi të kompjuterizuar (CT) tregon madhësinë dhe pozicionin e nyjës në mushkëri, ndërsa skanimi PET ndihmon në identifikimin e shenjave të mundshme të përhapjes së kancerit.

Kur një nyjë e vogël në mushkëri duket se ka shumë gjasa të jetë kancerogjene, mjekët mund të vendosin të kalojnë drejtpërdrejt në operacion, pa kryer paraprakisht biopsi.

Si kryhet operacioni?

Në të kaluarën, lobektomitë kryheshin përmes një prerjeje të madhe mes brinjëve. Sot, shumica e ndërhyrjeve realizohen përmes kirurgjisë minimale invazive, me një kamerë dhe disa prerje të vogla, ose me ndihmën e një roboti që kontrollohet nga kirurgu përmes një konsolë pranë pacientit.

Vatikani bëri të ditur se operacioni i Papës u krye me teknikën e asistuar me video, një nga format më të përdorura të kirurgjisë minimale invazive të mushkërive.

Këto metoda, me ose pa ndihmën e robotit, zakonisht shkaktojnë më pak dhimbje, lënë shenja më të vogla dhe mundësojnë rikuperim më të shpejtë sesa operacionet e hapura.

Çfarë ndodh më pas?

Pas operacionit, pacientit i vendoset një tub i posaçëm, i quajtur dren torakal, për të larguar ajrin dhe lëngjet, ndërkohë që mushkëria përshtatet pas ndërhyrjes.

Pacientët ndihmohen të ngrihen nga shtrati që ditën e ardhshme, pasi lëvizja e hershme ul rrezikun e mpiksjes së gjakut dhe të infeksioneve të kraharorit. Papa pritet të qëndrojë rreth një javë në spital.

Raporti përfundimtar i analizës së indit do të përcaktojë nëse ai ka nevojë për trajtim shtesë. Adenokarcinomat tashmë testohen rregullisht për ndryshime gjenetike që mund të shënjestrohen me barna specifike. Disa pacientëve u rekomandohet gjithashtu imunoterapia ose kimioterapia për të ulur rrezikun e rikthimit të kancerit.

Sa i përket udhëtimeve, rekomandimet ndryshojnë, por shumica e pacientëve këshillohen të presin dy deri në tri javë para se të udhëtojnë me avion, me kusht që mushkëria të jetë shëruar plotësisht.

Kjo i lë Papës një periudhë të kufizuar, por realiste, për t’u përgatitur për udhëtimin e planifikuar jashtë vendit në muajin nëntor.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Kirurgjia e kancerit të mushkërive të Papa Leos: çfarë lloj operacioni bëri dhe çfarë ndodh më pas? appeared first on Sinjali.

Burimi: Sinjali