Francisco Conceicao ka zbuluar këshillën që Cristiano Ronaldo i dha pasi trashëgoi fanellën ikonike me numrin 7 te Juventusi.
Në një intervistë ekskluzive për Cronache di Spogliatoio, anësori portugez foli për përgjegjësinë e bartjes së numrit që më parë ishte mbajtur nga Ronaldo, si dhe për mësimet që kishte marrë nga pesë herë fituesi i Topit të Artë gjatë kohës kur luanin së bashku në Përfaqësuesen e Portugalisë.
“Unë trashëgova numrin 7 të Ronaldos te Juventusi. Ai më tha: ‘Kjo është një fanellë me peshë, kam shënuar mjaft gola me të’”, zbuloi Conceicao.
Futbollisti i Juventusit, i cili ka kaluar kohë me Ronaldon në Përfaqësuesen e Portugalisë, e përshkroi sulmuesin e Al-Nassr si një person të afërt dhe të gatshëm për të ndarë përvojën e tij me lojtarët më të rinj.
“Kam kaluar një apo dy vjet me Ronaldon në ekipin kombëtar. Ai është gjithmonë i gatshëm të bisedojë. Është shumë i hapur dhe u jep këshilla të gjithëve”, deklaroi ai.
Conceicao kujtoi gjithashtu se si Ronaldo i kishte treguar për vitet e para të karrierës së tij si anësor, duke shpjeguar se si shpejtësia, driblimet dhe aftësia për të goditur me të dyja këmbët kishin ndikuar në zhvillimin e tij si futbollist, përpara se të kalonte në rolin e sulmuesit qendror.
Portugezi tha se edhe mënyra se si Ronaldo vazhdon ta ruajë formën fizike dhe profesionalizmin në moshën 41-vjeçare i kishte mësuar shumë gjëra të vlefshme.
“Ai më tregoi shumë edhe për fillimet e karrierës së tij si anësor, sa i shpejtë ishte, si i kalonte të gjithë kundërshtarët dhe si mund të gjuante me të dyja këmbët. Më pas u avancua në pozitën e sulmuesit dhe u bë një makinë golash.
“Edhe duke parë rutinën e tij të rikuperimit në moshën 41-vjeçare, kur vazhdon të jetë në nivel kaq të lartë, ai është jashtëzakonisht i përqendruar në gjithçka që bën. Mund vetëm ta falënderoj. Kam mësuar shumë prej tij. Ishte nder të punoja përkrah tij”, përfundoi Conceicao./Telegrafi/