Komisioni Hetimor kërkon raporte nga Qendra për Punë Sociale në Pejë

Komisioni Hetimor kërkon raporte nga Qendra për Punë Sociale në Pejë

Written by

in

Komisioni Hetimor Parlamentar për veprimet dhe mosveprimet institucionale në lidhje me vrasjen e Arlinda Zekajt dhe trajtimin e dhunës ndaj fëmijëve dhe grave në familje do t’i kërkojë Qendrës për Punë Sociale në Pejë një raport më të detajuar për trajtimin e dy rasteve të rënda të ngritura më herët nga kryetari i kësaj komune.

Kërkesa u propozua nga deputeti Eman Rrahmani, i cili vlerësoi se është e rëndësishme që komisioni të informohet për gjithë ecurinë e këtyre rasteve dhe veprimet e ndërmarra nga Qendra për Punë Sociale.

Kryetari i komisionit, Burim Ramadani, u pajtua me propozimin, duke bërë të ditur se do të kërkohet informacion më i detajuar për veprimet e institucioneve.

Gjatë diskutimit, deputetja Doarsa Kica-Xhelili, kërkoi kujdes të veçantë në trajtimin e këtyre informacioneve, në mënyrë që të mos ekspozohen viktimat e dhunës, veçanërisht të dhënat për vendndodhjen e tyre.

Ajo paralajmëroi edhe për rrezikun e rrjedhjes së informacioneve konfidenciale, duke theksuar se Kuvendi nuk i ka të gjitha kapacitetet e nevojshme për t’u mbrojtur nga ndërhyrjet e mundshme të jashtme.

Kryetari i komisionit u pajtua se kërkesat për informacione duhet të kufizohen në veprimet institucionale, pa përfshirë detaje që mund të zbulojnë identitetin apo të dhënat e viktimave.

Ndërkaq, Tahiri bëri të ditur se komisioni ka marrë përgjigje nga Policia e Kosovës lidhur me një kërkesë të mëhershme për trajtimin e një rasti të raportuar nga një grua. Ai vlerësoi reagimin e shpejtë të Policisë dhe veprimet e ndërmarra pas pranimit të raportimit.

 

Burimi: RTKLive