Kampioni gjerman do të përballet të shtunën me RB Leipzig, pas barazimit 2:2 ndaj Augsburg në Bundesligë dhe atij 3:3 kundër Viking në Ligën e Kampionëve.
Në të dyja ndeshjet, Bayern është gjetur në disavantazh, duke u detyruar të rikthehet për të shpëtuar një pikë. Skuadra ka pasur vështirësi në mbrojtje dhe nuk ka arritur t’i shfrytëzojë të gjitha rastet e krijuara.
Aktualisht, Bayern renditet në vendin e tretë në Bundesligë, dy pikë prapa liderëve Freiburg dhe Borussia Dortmund.
Megjithatë, Kompany nuk beson se rezultatet e fundit e pasqyrojnë plotësisht gjendjen e skuadrës.
“Ne duam të sulmojmë. Kam ndjenjën se jemi shumë pranë versionit tonë më të mirë”, ka deklaruar trajneri në konferencën për media.
Ai ka theksuar se skuadra ka krijuar shumë raste në dy ndeshjet e fundit.
“Në dy ndeshjet e fundit kemi gjuajtur pesëdhjetë herë drejt portës. Nëse i përmirësojmë disa gjëra, nuk jemi larg formës sonë më të mirë”, ka thënë Kompany.
Trajneri belg ka vlerësuar edhe përkushtimin e futbollistëve në stërvitje, duke thënë se skuadra është e motivuar për sfidat e ardhshme.
“Jemi të përqendruar dhe të motivuar. I presim me padurim këto ndeshje, sepse duam ta masim veten kundër skuadrave më të mira”, ka shtuar ai.
Pas ndeshjes me Leipzig, Bayern e presin përballja me Arsenal në Ligën e Kampionëve dhe ajo me Freiburg në Bundesligë. Më pas, bavarezët do të luajnë kundër Magdeburg në Kupën e Gjermanisë, para derbit me Borussia Dortmund më 31 tetor.
Burimi: RTKLive
