Konfirmohet nga Policia dhe Prokuroria raportimi ekskluziv i Sinjalit për vdekjen e 26-vjeçares në Prizren: I dyshuari ndalohet për 48 orë

Konfirmohet nga Policia dhe Prokuroria raportimi ekskluziv i Sinjalit për vdekjen e 26-vjeçares në Prizren: I dyshuari ndalohet për 48 orë

Written by

in

Konfirmohet nga Policia dhe Prokuroria raportimi ekskluziv i Sinjalit për vdekjen e 26-vjeçares në Prizren: I dyshuari ndalohet për 48 orë

Policia e Kosovës dhe Prokuroria Themelore në Prizren kanë konfirmuar rastin për të cilin Gazeta Sinjali raportoi ekskluzivisht, lidhur me vdekjen e 26-vjeçares Blerta Hyseni, e cila ndërroi jetë pasi ishte ndaluar në Vërmicë, ku në veturën me të cilën udhëtonte u gjetën mbi 100 gramë kokainë e dyshuar.

Sipas komunikatës së përbashkët, ngjarja ka ndodhur më 15 nëntor, rreth orës 18:00, kur në Vërmicë është ndaluar një veturë BMW, në të cilën ndodheshin dy persona, një mashkull dhe një femër, të dy shtetas kosovarë.

Gjatë kontrollit të automjetit janë gjetur dhe konfiskuar 105.7 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë, dy fishekë të kalibrit 9×19 mm dhe dy telefona celularë.

Gazeta Sinjali kishte raportuar se në veturë ndodheshin Blerta Hyseni dhe Adnan Podvorica, ndërsa kokaina dyshohej se ishte e kamufluar në automjet.

Pas ndalimit, sipas raportimit të Sinjalit, hetuesit kishin ngritur dyshime se 26-vjeçarja mund të kishte gëlltitur apo fshehur në trup substanca narkotike. Për këtë arsye, ajo ishte dërguar për ekzaminime mjekësore në Spitalin Rajonal të Prizrenit.

Në komunikatën zyrtare, Policia dhe Prokuroria bëjnë të ditur se pas intervistimit, të dyshuarit mashkull i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Ndërkaq, gjatë fillimit të intervistimit të së dyshuarës, në prani të avokatit mbrojtës, asaj i është përkeqësuar gjendja shëndetësore, për çka është kërkuar ndihma emergjente.

Ajo fillimisht ka marrë ndihmën e parë mjekësore në vend dhe më pas është transportuar në Spitalin e Përgjithshëm Rajonal të Prizrenit për trajtim të mëtejmë.

Policia njofton se rreth orës 01:30 është informuar nga mjekët se 26-vjeçarja kishte ndërruar jetë.

Një tjetër detaj që kishte raportuar ekskluzivisht Gazeta Sinjali ishte se gjatë trajtimit të saj ishte ngritur dyshimi për një mbidozë të rëndë nga substancat narkotike. Ky dyshim, sipas burimeve të Sinjalit, ishte përmendur nga një mjek, por ende nuk është konfirmuar si shkak i vdekjes.

Ndërkohë, në komunikatën zyrtare bëhet e ditur se me urdhër të prokurorit është bastisur edhe shtëpia e të dyshuarit mashkull, ku është gjetur dhe konfiskuar një detektor për identifikimin e GPS-it dhe kamerave.

Lidhur me rastin janë njoftuar njësitë hetimore, Sektori Rajonal i Hetimeve, Inspektorati Policor i Kosovës dhe prokurori kujdestar. Njësitë policore të hetuesisë dhe forenzikës kanë dalë në vendin e ngjarjes për të ndërmarrë veprimet fillestare hetimore.

Me urdhër të prokurorit kujdestar, trupi i pajetë i 26-vjeçares është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion.

Deri më tani nuk është konfirmuar nëse Blerta Hyseni kishte gëlltitur substanca narkotike apo cili ishte shkaku i saktë i vdekjes së saj.

Rasti po hetohet për veprat penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Hetim i vdekjes”.

Personat e arrestuar konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim gjyqësor të formës së prerë.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali