Konfirmohet raportimi i Sinjalit për arrestimin e pesë turqve në Prizren që dyshohet se sulmuan me thikë dhe mbajtën 12 orë një person

Konfirmohet raportimi i Sinjalit për arrestimin e pesë turqve në Prizren që dyshohet se sulmuan me thikë dhe mbajtën 12 orë një person

Written by

in

Konfirmohet raportimi i Sinjalit për arrestimin e pesë turqve në Prizren që dyshohet se sulmuan me thikë dhe mbajtën 12 orë një person

Policia e Kosovës ka konfirmuar raportimin ekskluziv të Gazetës Sinjali për arrestimin e pesë shtetasve turq, të dyshuar për sulmin ndaj një 44-vjeçari në Prizren, të cilin dyshohet se e kishin futur me forcë në një automjet dhe e kishin dërguar në Prishtinë, ku e kishin mbajtur kundër vullnetit të tij për rreth 12 orë.

Në njoftimin zyrtar të publikuar sot, Policia ka bërë të ditur se me vendim të prokurorit të rastit, të gjithë të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë.

Siç raportoi dje ekskluzivisht Gazeta Sinjali, në mesin e të arrestuarve është edhe shtetasi turk Mehmet Perçem, rreth 38-vjeçar, si dhe Mustafa Danyildiz (47), Özdemir Riza (41), Dogan Mehmet Guven (43), Kahya Süleyman (40).

Sipas njoftimit të Policisë, hetimet kishin nisur më 3 nëntor, kur Sektori Rajonal i Hetimeve në Prizren kishte pranuar një video-incizim përmes kanaleve operative. Në pamje shiheshin pesë persona duke sulmuar fizikisht një person dhe më pas duke e futur me forcë në një automjet të tipit “pick-up”, në rrugën “Ekrem Rexha” në Prizren.

Viktima, shtetas i Turqisë, ishte identifikuar më 4 nëntor. Gjatë intervistimit, ai kishte deklaruar se gjatë sulmit kishte pësuar lëndime të shumta trupore, përfshirë edhe nga një mjet i mprehtë, dyshohet thikë.

Ai kishte deklaruar se pas sulmit ishte dërguar kundër vullnetit të tij në një objekt në Prishtinë, ku ishte mbajtur për rreth 12 orë. Sipas deklarimeve të tij, të dyshuarit e kishin detyruar të hiqte dorë nga punimet ndërtimore që po i kryente në një objekt banesor në Prizren.

Policia ka bërë të ditur se edhe automjeti i përdorur në rast është gjetur dhe sekuestruar përkohësisht me urdhër të Prokurorisë së Shtetit në Prizren.

Rasti po hetohet për veprat penale “Shtrëngim”, “Privim i kundërligjshëm i lirisë” dhe “Lëndim i lehtë trupor”.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali