Konjufca: Kërcënimi ndaj Kosovës është real, kërkon prani të fortë të NATO-s

Konjufca: Kërcënimi ndaj Kosovës është real, kërkon prani të fortë të NATO-s

Written by

in

Në një intervistë për mediumin “The Hungary Insider”, të publikuar më 15 tetor, Konjufca ka thënë se zhvillimet e fundit tregojnë, sipas tij, vazhdimësinë e politikës së Serbisë ndaj Kosovës dhe mbrojtjen politike të personave të përfshirë në sulmin e armatosur në Banjskë.

“Kërcënimi ndaj Republikës së Kosovës është real dhe bashkësia ndërkombëtare duhet ta njohë seriozitetin e këtij modeli”, ka deklaruar Konjufca.

Ai ka përmendur deklaratat e zyrtarëve serbë, paraqitjen publike të Milan Radoiçiqit në tubime politike në Serbi dhe sulmin e shtatorit 2023 në Banjskë, ku u vra polici i Kosovës, Afrim Bunjaku.

Sipas Konjufcës, Radoiçiqi, i cili ka pranuar organizimin e sulmit, vazhdon të jetë i lirë në Serbi, ndërsa prokuroria serbe ende nuk ka ngritur aktakuzë ndaj tij. Ai ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që të ushtrojë presion ndaj Beogradit për dorëzimin e Radoiçiqit dhe personave të tjerë të akuzuar te autoritetet gjyqësore të Kosovës.

“Drejtësia për Banjskën është thelbësore për parandalimin e agresioneve të mëtejshme dhe vendosjen e sigurisë së qëndrueshme në rajonin tonë”, ka thënë ai.

Konjufca ka paralajmëruar gjithashtu për rrezikun e një përshkallëzimi të ri, duke theksuar se grumbullimi i forcave luftarake serbe pranë kufirit ose një sulm tjetër ndaj territorit dhe infrastrukturës kritike të Kosovës do të përbënte përshkallëzim serioz.

Ai ka vlerësuar se parandalimi i situatave të tilla kërkon prani të fortë të NATO-s përmes KFOR-it dhe koordinim të ngushtë me partnerët amerikanë dhe evropianë.

“Ne do të vazhdojmë t’i forcojmë institucionet tona të mbrojtjes, duke mbetur të përkushtuar ndaj diplomacisë, dialogut konstruktiv dhe marrëdhënieve paqësore me të gjithë fqinjët tanë”, ka deklaruar Konjufca.

Burimi: RTKLive