Konjufca takon Cassis: Zvicra, partnere e palëkundur e Kosovës

Konjufca takon Cassis: Zvicra, partnere e palëkundur e Kosovës

Written by

in

Konjufca takon Cassis: Zvicra, partnere e palëkundur e Kosovës

Ministri i Punëve të Jashtme dhe i Diasporës, Glauk Konjufca, ka zhvilluar një takim me homologun e tij zviceran, Ignazio Cassis, me të cilin ka diskutuar për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës, si dhe mundësitë për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit bilateral.

Në një konferencë të përbashkët për media, Konjufca e ka cilësuar takimin si të rëndësishëm dhe produktiv, duke vlerësuar mbështetjen e vazhdueshme që Zvicra i ka dhënë Kosovës që nga njohja e pavarësisë.

“Zvicra ka qenë nga fillimi partnere e palëkundur e Kosovës që nga njohja e pavarësisë sonë. Ka mbështetur zhvillimin tonë dhe angazhimin ndërkombëtar. E çmojmë thellësisht këtë miqësi”, ka deklaruar Konjufca.

Ai ka vënë në pah edhe rëndësinë e mërgatës shqiptare në Zvicër, të cilën e ka cilësuar si pjesë të pandashme të historisë së Kosovës dhe një lidhje të veçantë ndërmjet dy shteteve.

“Sot mërgata e Kosovës në Zvicër është shumë më tepër se një urë lidhëse mes dy vendeve tona, është pjesë e pandashme e historisë sonë”, ka theksuar ai, duke shprehur mirënjohje për mikpritjen dhe mbështetjen që Zvicra u ka ofruar bashkatdhetarëve ndër vite.

Duke folur për bashkëpunimin ekonomik, Konjufca ka vlerësuar programin zviceran të bashkëpunimit për periudhën 2026-2029, si dhe hyrjen në fuqi të marrëveshjes së tregtisë së lirë me vendet e EFTA-s, ku bën pjesë edhe Zvicra.

Sipas tij, kjo marrëveshje krijon mundësi të reja për bizneset dhe zhvillimin e bashkëpunimit ekonomik, të cilat Kosova synon t’i shfrytëzojë në interes të të dy popujve.

Në takim është diskutuar edhe për rrugën evropiane të Kosovës, me ç’rast Konjufca ka vlerësuar mbështetjen e Zvicrës për këtë proces, përfshirë përkrahjen për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Ai ka përmendur gjithashtu kontributin e kontingjentit zviceran në kuadër të KFOR-it, duke theksuar se prania dhe angazhimi i vazhdueshëm i Zvicrës janë të rëndësishëm për ruajtjen e sigurisë dhe paqes në Kosovë.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali