Komisionerja Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, ka shprehur keqardhje për interpretimin e muzikës së këngës nacionaliste serbe në koncertin e organizuar në prag të Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian në Bruksel.
Në një prononcim për gazetarët të dielën, më 16 nëntor, para fillimit të Forumit, Kos ka thënë se përzgjedhja e kësaj kënge ishte përgjegjësi e muzikantëve dhe se ajo nuk pasqyron në asnjë mënyrë qëndrimet e Komisionit Evropian.
Ajo ka theksuar se është e vetëdijshme për vuajtjet dhe sakrificat që kanë përjetuar njerëzit në këtë pjesë të Evropës gjatë së kaluarës.
Duke folur për rëndësinë e pajtimit dhe të kujtesës historike, Kos ka thënë se dallimet nuk duhet të pengojnë ndërtimin e një të ardhmeje të përbashkët evropiane.
“Ne nuk kërkojmë që dallimet të harrohen, por po ndërtojmë një Evropë ku dallimet nuk do të jenë arsye për të penguar të ardhmen”, ka deklaruar Kos, transmeton Radio Evropa e Lirë.
Burimi: Dukagjini
