Kosova dhe Gjermania diskutojnë avancimin e transformimit digjital

Kosova dhe Gjermania diskutojnë avancimin e transformimit digjital

Written by

in

Kosova dhe Gjermania kanë diskutuar për progresin dhe prioritetet në zvogëlimin e barrës administrative dhe transformimin digjital të administratës publike, në kuadër të konsultimeve ndërqeveritare për bashkëpunim zhvillimor.

Ministri i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu është takuar me përfaqësues të Ministrisë Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ), Ambasadës Gjermane dhe GIZ-it.

Sipas njoftimit të ministrisë, përmes një projekti të bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe të zbatuar nga GIZ-i, Gjermania ka mbështetur programin për zvogëlimin e barrës administrative. Në kuadër të tij janë digjitalizuar një numër i madh shërbimesh dhe janë zhvilluar sisteme për menaxhimin e licencimit të profesioneve të ndryshme, njohjen e diplomave, shërbimet e punësimit dhe menaxhimin e rasteve.

Po ashtu, në Administratën Tatimore të Kosovës është duke u testuar asistenti i parë digjital bazuar në inteligjencë artificiale.

Programi ka kontribuar edhe në thjeshtimin e mbi 730 shërbimeve administrative në nivel qendror dhe lokal. Ndërkohë, ka nisur pilotimi i integrimit të shërbimeve publike sipas ngjarjeve jetësore, duke filluar me shërbimet që lidhen me lindjen e fëmijës.

Gjatë takimit është diskutuar edhe integrimi i sistemeve të zhvilluara me platformën eKosova dhe mundësia e vazhdimit të mbështetjes gjermane në vitet e ardhshme.

Ministri ka prezantuar gjithashtu prioritetet për transformimin digjital, përfshirë lansimin e platformës kombëtare të identifikimit elektronik (eID), e cila do të mundësojë autentikimin e fortë elektronik, nënshkrimin dhe vulën elektronike, si dhe kuletën digjitale.

Në fund, ministri ka falënderuar Qeverinë Gjermane dhe GIZ-in për mbështetjen në modernizimin e administratës publike dhe avancimin e transformimit digjital në Kosovë.

Burimi: RTKLive