Kosova humbi 43.8 milionë euro, Koci: Rrezikohen edhe 131 milionë të tjera (VIDEO)

Kosova humbi 43.8 milionë euro, Koci: Rrezikohen edhe 131 milionë të tjera (VIDEO)

Written by

in

Kosova humbi 43.8 milionë euro, Koci: Rrezikohen edhe 131 milionë të tjera (VIDEO)

Kosova ka humbur 43.8 milionë euro nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian, pasi nuk ka arritur t’i përmbushë gjashtë nga 13 hapat e parapara të reformave.

Për këtë çështje ka folur analisti Melazim Koci, në emisionin “Ora Shtatë” në Klan Kosova.

Koci ka ngritur pikëpyetje lidhur me arsyet që kanë çuar në mosrealizimin e gjashtë reformave, duke vënë në diskutim nëse kjo ka ndodhur për shkak të mungesës së institucioneve apo neglizhencës së Qeverisë.

Ai ka thënë se bllokada institucionale në vend nuk mund të mohohet, por sipas tij, kjo nuk e shpjegon plotësisht dështimin në përmbushjen e reformave.

“Ne kemi pasur bllokadë institucionale, kjo nuk mund të mohohet, por nuk mendoj se është e gjithë e vërteta. Sepse po e përsëris, nëse janë bërë shtatë hapa ose reforma, përse atëherë nuk janë bërë edhe gjashtë të tjerat?”, ka deklaruar Koci.

Ai ka paralajmëruar gjithashtu se Kosova rrezikon të humbasë edhe 131 milionë euro të tjera, nëse nuk bëhen 22 hapa të tjerë të reformave deri më 31 dhjetor.

Kjo është paralajmëruar edhe nga koordinatori kombëtar për Planin e Rritjes, Jeton Zulfaj i cili ka thënë se deri më 31 dhjetor, Kosova duhet t’i përmbushë edhe 22 hapa të tjerë, nga të cilat varen 131.5 milionë eurot për Kosovën.

“Tani kemi përpara vetes 22 hapa në vlerë prej 131.5 milionë euro, që skadojnë më 31 dhjetor. Pra, kanë mbetur edhe 59 ditë, 10 akte duhet të kalojnë në këtë Kuvend, projektligji për inovacion dhe ndërmarrësi tashmë është në Kuvend, kurse të tjerat Qeveria do t’i sjellë për miratim”, tha Zulfaj të hënën në Komisionin për Integrim Evropian, njofton Klankosova.tv