Nënshkruhet marrëveshja mes Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për sektorin e shëndetësisë në vlerë prej 41 milionë euro.
Ministri i Financave, Hekuran Murati tha se ky projekt do të sigurojë pajisje mjekësore moderne dhe do të ndikojë në infrastrukturën e pacientëve në QKUK dhe në spitalet rajonale të Prizrenit, Pejës, Gjakovës dhe atë të Gjilanit.
“Qeveria e Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, sot po nënshkruan bashkë me Bankën Evropiane të Investimeve dhe Bankën për Zhvillim të Këshillit të Evropës marrëveshje kredi për projektin e pajisjeve mjekësore dhe përmirësimit të infrastrukturës. Vlera e përgjithshme e këtij projekti është 41 milionë euro, dhe bashkëfinancimi është i ndarë barabartë nga dy bankat, pra EIB dhe CEB. Investimi do të sigurojë pajisje mjekësore moderne dhe do të ndikojë në infrastrukturën e pacientëve në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë, si dhe në spitalet rajonale të Prizrenit, Pejës, Gjakovës dhe atë të Gjilanit”, tha Murati.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se modernizimi i infrastrukturës dhe teknologjisë mjekësore është një nga prioritetet e strategjisë sektoriale të shëndetësisë 2025-2030.
“Strategjia sektoriale e shëndetësisë 2025-2030, pasqyron prioritetet e Qeverisë së Republikës së Kosovës për sektorin e shëndetësisë. Në objektivat strategjikë të kësaj strategjie, kemi identifikuar riorganizimin e institucioneve shëndetësore dhe modernizimin e infrastrukturës dhe teknologjisë mjekësore si një nga prioritetet e sotme. Strategjia i jap një rëndësi të veçantë përmirësimit të infrastrukturës fizike të institucioneve shëndetësore sekondare dhe terciare me furnizimin e tyre me pajisje mjekësore moderne për një periudhë afatgjatë”, tha Vitia.
Robert de Groot, zëvendëspresident i Bankës Evropiane të Investimeve tha se kujdesi shëndetësor është nga format më të thjeshta ku investimet publike ofrojë shërbime për popullin.
Burimi: Dukagjini
