Kosova pëson humbje të thellë nga Hungaria në kualifikimet për “Euro 2028”

Kosova pëson humbje të thellë nga Hungaria në kualifikimet për “Euro 2028”

Written by

in

Kombëtarja e Kosovës në hendboll e nisi mjaft mirë përballjen ndaj Hungarisë, por nuk arriti ta mbajë ritmin dhe në fund pësoi humbje me rezultat 34:20.

Ndeshja u zhvillua në palestrën e mbushur plot “Bill Clinton” në Ferizaj, në kuadër të xhiros së dytë të Grupit 4 të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2028.

“Dardanët” patën një start të shkëlqyer dhe gjatë 12 minutave të para ishin vazhdimisht në epërsi. Olsi Mulaj, Bujar Ramosaj, Drenit Tahirukaj, Shaban Zogaj dhe Alban Haziri kontribuuan me golat e tyre në këtë fillim pozitiv të Kosovës.

Megjithatë, Hungaria gradualisht mori kontrollin e ndeshjes. Pas 15 minutash lojë, mysafirët kaluan për herë të parë në epërsi, 8:7, dhe më pas nuk lejuan më befasi.

Në disa raste, portieri Haris Berisha arriti t’i ndalte sulmet e kundërshtarëve, por efikasiteti më i madh i hungarezëve në fazën ofensive bëri diferencën. Pjesa e parë përfundoi me epërsi prej pesë golash për mysafirët, 17:12.

Në pjesën e dytë, Hungaria e thelloi edhe më shumë avantazhin dhe në fund triumfoi me 14 gola diferencë, 34:20.

Shaban Zogaj dhe Drenit Tahirukaj ishin golashënuesit më të mirë të Kosovës me nga pesë gola. Olsi Mulaj realizoi katër, Matej Taci tri, ndërsa Sadat Pajaziti, Bujar Ramosaj dhe Armend Alaj nga një gol. Portieri Haris Berisha regjistroi nëntë pritje nga 31 gjuajtje të kundërshtarëve.

Te Hungaria shkëlqeu Bence Krakovszki, i cili shënoi dhjetë gola nga 13 tentime.

Pas dy xhirove, Hungaria kryeson me dy fitore në po aq ndeshje, ndërsa Kosova ka dy humbje. Në takimin e parë, të zhvilluar në Torshavn, “Dardanët” ishin mposhtur nga Ishujt Faroe me rezultat 37:30. /Telegrafi/