Kombëtarja e Kosovës sonte përballet me Republikën e Irlandës me fillim nga ora 20:45 në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve në Ligën e Kombeve.
UEFA ka publikuar listën zyrtare të futbollistëve të Kosovës për këtë përballje, ku përzgjedhësi Franco Foda do të ketë në dispozicion pjesën më të madhe të lojtarëve të grumbulluar për këtë cikël, pra 21 lojtarë.
Megjithatë, Dardanët do të kenë tri mungesa për këtë takim të rëndësishëm.
Veldin Hoxha nuk do të jetë në dispozicion për shkak të kartonit të kuq të marrë në ndeshjen e kaluar ndaj Izraelit, ndërsa Edon Zhegrova është liruar nga grumbullimi shkaku i një lëndimit dhe nuk ka udhëtuar drejt Irlandës.
Mungesa e tretë është ajo e sulmuesit të ri Enis Rexhepi, i cili nuk mund të aktivizohet pasi ende nuk është kompletuar dokumentacioni i nevojshëm për ndryshimin e përfaqësueses në FIFA.
Kështu, Foda do të duhet të bëjë llogaritë pa këta tre futbollistë në një ndeshje me rëndësi të madhe për objektivin e Kosovës.
Dardanëve u mjafton të shmangin humbjen për ta përfunduar grupin në pozitën e dytë dhe për të siguruar pjesëmarrjen në “play-off”-in për promovim në Ligën A.
Lista e plotë:
Portierë: Arijanet Muric, Visar Bekaj, Amir Shaipi.
Mbrojtës: Lindrit Kamberi, Kreshnik Hajrizi, Ilir Krasniqi, Ron Raçi, Dion Gallapeni, Mërgim Vojvoda, Bleon Kurtulus.
Mesfushorë: Elvis Rexhbecaj, Milot Rashica, Betim Fazliji, Dion Kaçuri, Lindon Emërllahu, Milot Avdyli, Leon Avdullahu.
Sulmues: Albion Rrahmani, Fisnik Asllani, Baton Zabërgja, Vedat Muriqi.
/Telegrafi/