Kosova, Shqipëria, apo Zvicra? Lorent Tolaj pranë vendimit të karrierës

Kosova, Shqipëria, apo Zvicra? Lorent Tolaj pranë vendimit të karrierës

Written by

in

Sulmuesi i Bristol Cityt, Lorent Tolaj, së shpejti do ta merr vendimin më të rëndësishëm të karrierës, se kë të përfaqësojë përfundimisht në nivelin ndërkombëtar.

Sipas raportimit të “Football Insider”, Kosova, Shqipëria dhe Zvicra janë duke bërë përpjekje për ta bindur 25-vjeçarin që të zgjedhë njërën prej tyre, para grumbullimit të ardhshëm të Kombëtareve.

Tolaj ka lindur në Zvicër dhe e ka përfaqësuar këtë shtet në grupmoshat U-17, U-18 dhe U-19, por për shkak të prejardhjes familjare ka të drejtë të luajë edhe për Kosovën dhe Shqipërinë.

Paraqitjet e tij në Angli kanë bërë që interesimi për të të rritet ndjeshëm, veçanërisht pas transferimit nga Plymouth Argyle te Bristol City gjatë afatit kalimtar të verës.

Në këtë sezon të Championshipit, sulmuesi ka shënuar dy gola dhe ka dhuruar një asistim në dhjetë ndeshje, ndërsa kontributi i tij në lojën e skuadrës ka marrë vlerësime pozitive.

Interesimi për Tolajn nuk është i ri. Ai kishte spikatur edhe më herët me fanellën e grupmoshave të Zvicrës, ku në vitin 2019 realizoi tetë gola në fitoren historike 16-1 ndaj Gjibraltarit, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian U-19.

Ky ishte një rekord për numrin e golave të shënuar nga një futbollist në një ndeshje të kualifikimeve të kësaj grupmoshe.

Tolaj vlerësohet si një sulmues fizik, i aftë të mbajë topin, të përfshijë bashkëlojtarët në aksione dhe të shënojë vetë, karakteristika që e bëjnë një profil interesant për secilën prej tri Kombëtareve.

Edhe në nivel klubesh, ai kishte qenë objektiv i disa skuadrave para se të transferohej te Bristol City. Millwall dhe Derby County kishin shprehur interesim, ndërsa për të ishin interesuar edhe gjigantët skocezë Rangers dhe Celtic.

Megjithatë, sulmuesi vendosi të vazhdonte karrierën te Bristol City, ku po përpiqet të konsolidohet në një prej ligave më konkurruese të futbollit anglez.

Tani vëmendja është te vendimi i tij për të ardhmen ndërkombëtare, pasi Kosova dhe Shqipëria shpresojnë ta bindin që të zgjedhë prejardhjen e tij, ndërsa Zvicra synon ta mbajë një futbollist që e ka zhvilluar në sistemin e saj të grupmoshave./Telegrafi/