Kosova siguron 41 milionë euro për shëndetësinë

Kosova siguron 41 milionë euro për shëndetësinë

Written by

in

Financimi do të ndahet në mënyrë të barabartë mes dy institucioneve financiare evropiane dhe do të përdoret për investime në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë, si dhe në spitalet rajonale të Prizrenit, Pejës, Gjakovës dhe Gjilanit.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se marrëveshja synon të mundësojë investime konkrete në pajisje dhe infrastrukturë shëndetësore.

“Vlera e përgjithshme e këtij projekti është 41 milionë euro dhe bashkëfinancimi është i ndarë barabartë nga dy bankat, pra EIB dhe CEB”, deklaroi Murati.

Ai bëri të ditur se investimet do të përfshijnë pajisje moderne mjekësore dhe infrastrukturën përcjellëse në institucionet shëndetësore të përfshira në projekt.

Ndërkaq, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se modernizimi i infrastrukturës dhe teknologjisë mjekësore është pjesë e prioriteteve të përcaktuara në Strategjinë Sektoriale të Shëndetësisë 2025–2030.

“Strategjia i jep një rëndësi të veçantë përmirësimit të infrastrukturës fizike të institucioneve shëndetësore sekondare dhe terciare, me furnizimin e tyre me pajisje mjekësore moderne për një periudhë afatgjatë”, tha Vitia.

Sipas tij, objektivat strategjikë përfshijnë edhe riorganizimin e institucioneve shëndetësore, me synim përmirësimin e kapaciteteve dhe shërbimeve që ofrohen për pacientët.

Nënkryetari i Bankës Evropiane të Investimeve, Robert de Groot, vlerësoi se investimi do të ndihmojë në rritjen e qasjes në pajisje dhe infrastrukturë moderne për pacientët dhe profesionistët shëndetësorë në Kosovë.

“Kjo do të thotë pajisje mjekësore të avancuara dhe përmirësim i infrastrukturës mbështetëse, duke rezultuar në diagnostikim më të mirë, trajtim më efektiv dhe kujdes të përmirësuar për pacientët”, deklaroi de Groot.

Edhe zëvendësguvernatori për Strategjinë e Zhvillimit Social në Bankën për Zhvillim të Këshillit të Evropës, Johannes Böhmer, theksoi rëndësinë e investimeve në shëndetësi dhe përgjegjësinë e institucioneve publike për sigurimin e shërbimeve themelore për qytetarët.

“Dhe mendoj se popullatat në të gjitha vendet tona presin një sistem të fortë shëndetësor si një shërbim bazë që qeveritë duhet ta sigurojnë në mënyrë që të mbajnë popullatën e tyre funksionale”, u shpreh Böhmer.

Marrëveshja prej 41 milionë eurosh synon të kontribuojë në përmirësimin e kushteve për trajtimin e pacientëve dhe punën e profesionistëve shëndetësorë, përmes furnizimit me teknologji moderne dhe investimeve në infrastrukturën e institucioneve publike shëndetësore.

Burimi: RTKLive