
Teatri i Qytetit “Bekim Fehmiu” në Prizren do të bëhet sërish pikëtakim i teatrit bashkëkohor ndërkombëtar, duke mirëpritur nga sot e deri më 8 nëntor 2026, edicionin e radhës të Kosovo Theatre Showcase.
Kjo platformë, e organizuar nga Qendra Multimedia, synon të promovojë krijimtarinë teatrore, të nxisë shkëmbimin artistik dhe të hapë diskutime mbi zhvillimet dhe prirjet e reja të skenës bashkëkohore. Për të dytin vit radhazi, Teatri “Bekim Fehmiu” do të mbledhë artistë, regjisorë, dramaturgë, kritikë dhe profesionistë të teatrit nga Kosova dhe vende të ndryshme të botës.
Programi i këtij edicioni përfshin punëtori, konferenca, diskutime me panelistë ndërkombëtarë dhe shfaqje teatrore, duke krijuar mundësi për dialog, shkëmbim përvojash dhe bashkëpunime të reja artistike.
Në mesin e folësve dhe panelistëve të konfirmuar janë emra të njohur të skenës ndërkombëtare, si Mark Ravenhill, Sebastian Nubling, Mattias Andersson, Oliver Frljic, Giannina Carbunariu, Data Tavadze dhe Natasha Tripney. /KlanKosova.tv