KPK voton raportin për vitin 2025, evidentohen të arriturat dhe sfidat e sistemit prokurorial

KPK voton raportin për vitin 2025, evidentohen të arriturat dhe sfidat e sistemit prokurorial

Written by

in

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka votuar Raportin për vitin 2025 për Zbatimin e Planit Strategjik dhe Planit të Veprimit të Sistemit Prokurorial.

Raportin para anëtarëve të Këshillit e ka prezantuar anëtari i KPK-së, Milot Krasniqi, i cili ka paraqitur të arriturat kryesore, sfidat, përfundimet dhe rekomandimet që dalin nga zbatimi i këtij dokumenti strategjik.

Në fillim të prezantimit, Krasniqi ka theksuar rëndësinë e Planit Strategjik 2025-2027, duke bërë të ditur se ai mbështetet në tri shtylla kryesore: forcimin e sundimit të ligjit, efikasitetin në luftimin e kriminalitetit, si dhe transparencën dhe qasjen në drejtësi.

“Siç e dini, plani strategjik dhe i sistemit prokurorial për vitin 2025-2027, pra për tre vite, është një ndër dokumentet më të rëndësishme të sistemit prokurorial. Ai është i ndarë kryesisht në tri shtylla kryesore: pra në forcimin e sundimit të ligjit, në efikasitetin e luftimit të kriminalitetit dhe në transparencën dhe e qasjes në drejtësi në përgjithësi”, ka deklaruar Krasniqi.

Ai ka bërë të ditur se për monitorimin e zbatimit të planit ishte themeluar një grup punues, por procesi ishte shoqëruar me vonesa për shkak të ndryshimeve në përbërjen e Këshillit dhe mosfunksionimit të kësaj strukture për një periudhë.

“Këshilli, me qëllim të monitorimit të zbatimit të këtij dokumenti strategjik dhe planit të veprimit, kishte themeluar me kohë një grup punues, mirëpo ndërkohë ishin kryer edhe disa ndryshime. Ka pasur disa vonesa të theksuara në raportim, për shkak edhe të ndryshimeve në përbërjen e Këshillit dhe mosfunksionimit të kësaj strukture për një kohë. Megjithatë, falë angazhimit të gjithë grupit punues, kemi arritur që ta përpilojmë raportin, që është vëlliminoz, prej 107 faqeve dhe që i ka të listuara të gjitha rezultatet, por i ka edhe sfidat, përfshirë, si dhe përfundimet dhe rekomandimet që na japin një udhërrëfim se si të veprohet tutje”, ka thënë ai.

Duke folur për të arriturat kryesore gjatë vitit 2025, Krasniqi ka përmendur avancimin e kornizës ligjore dhe institucionale, përmes miratimit të një numri të konsiderueshëm të akteve nënligjore dhe rregulloreve që lidhen me funksionimin e sistemit prokurorial.

Në mesin e tyre ka përmendur aktet që rregullojnë ekipet e përbashkëta hetimore, organizimin e administratës së Këshillit, transferimin dhe avancimin e prokurorëve, zgjedhjen e anëtarëve prokurorë të Këshillit, si dhe normën orientuese të ngarkesës në punë.

“Sa i përket të arriturave kryesore, pa dashur t’ju lodh, sepse të gjithë e keni përpara dhe besoj se keni mundur që ta lexoni dhe ta analizoni. Të arriturat kryesore, shkurtimisht, gjatë vitit 2025 lidhur me këtë dokument strategjik, konsiderohet avancimi i kornizës ligjore dhe institucionale. Siç e dimë, janë të listuara miratimi i një mori të akteve nënligjore dhe rregulloreve që lidhen me funksionimin e sistemit prokurorial, përfshirë ekipet e përbashkëta hetimore, organizimin e administratës së Këshillit, transferimin dhe avancimin e prokurorëve, zgjedhjen e anëtarëve prokurorë të Këshillit, rregulloren për normën orientuese që e rregullon pjesën e ngarkesës në punë e kështu me radhë”, ka deklaruar Krasniqi.

Një tjetër e arritur e evidentuar në raport është rritja e transparencës së sistemit prokurorial. Krasniqi ka përmendur transmetimin e drejtpërdrejtë të mbledhjeve të Këshillit, funksionalizimin e ueb-faqes më 6 tetor 2025, si dhe publikimin e vendimeve, statistikave, raporteve dhe aktiviteteve të Këshillit dhe prokurorive.

“Një arritje tjetër është rritja e transparencës, është avancuar publikimi i informatave përmes transmetimit direkt të takimeve të Këshillit, funksionalizimit të web-faqes që ka ndodhur më 6 tetor të vitit 2025, si dhe publikimi i vendimeve, statistikave, raporteve dhe aktiviteteve të tjera të Këshillit dhe strukturave të tjera të sistemit prokurorial në përgjithësi, prokurorive e kështu me radhë”, ka thënë ai.

Në mesin e të arriturave, ai ka përmendur edhe mbikëqyrjen, vlerësimin e performancës dhe llogaridhënien. Sipas Krasniqit, gjatë vitit 2025 janë përgatitur shtatë raporte për vlerësimin e performancës së shtatë grupeve të ndryshme të prokurorëve. Po ashtu, raporti përfshin të dhëna për trajtimin e çështjeve disiplinore dhe vendimet e Këshillit lidhur me to.

“Një arritje tjetër konsiderohet edhe mbikëqyrja, performanca dhe llogaridhënia. Janë përgatitur gjithsej shtatë raporte gjatë vitit 2025 lidhur me vlerësimin e performancës, për shtatë grupe të ndryshme të prokurorëve. Po ashtu, në raport janë evidentuar edhe trajtimi i çështjeve disiplinore, ku janë dhënë edhe rezultatet se sa nga ato kanë kaluar në Këshill, si dhe rezultatet finale për të cilat Këshilli ka vendosur”, ka deklaruar Krasniqi.

Sa i përket luftimit të krimeve të luftës, Krasniqi ka theksuar se gjatë vitit 2025 është përgatitur dhe miratuar strategjia për krimet e luftës, të cilën e ka cilësuar si hap fillestar drejt konsolidimit të qasjes institucionale në hetimin dhe ndjekjen penale të këtyre veprave.

“Një arritje tjetër konsiderohet edhe luftimi i krimeve të luftës. Është përgatitur dhe miratuar strategjia për krimet e luftës, si një hap fillestar për konsolidimin e qasjes institucionale ndaj hetimit dhe ndjekjes së këtyre veprave penale të rënda”, ka theksuar ai.

Krasniqi ka përmendur edhe investimet në teknologji dhe infrastrukturë. Sipas tij, gjatë vitit të kaluar janë shpërndarë pajisje kompjuterike, janë raportuar 11 projekte infrastrukturore, janë zhvilluar raporte të reja në kuadër të Sistemit për Menaxhimin Informativ të Lëndëve (SMIL), si dhe janë ndërmarrë masa për përmirësimin e sigurisë së këtij sistemi.

“Po ashtu, një arritje tjetër është edhe teknologjia dhe infrastruktura, pra investimet që janë bërë në këtë aspekt. Janë shpërndarë pajisje kompjuterike, janë raportuar 11 projekte infrastrukturore, si dhe janë zhvilluar raporte të reja në kuadër të SMIL-it, si dhe janë ndërmarrë masa të shumta për përmirësimin e sigurisë së këtij sistemi”, ka thënë Krasniqi.

Përveç të arriturave, ai ka veçuar edhe disa sfida me të cilat është përballur sistemi prokurorial gjatë vitit 2025. Njëra prej tyre është pavarësia e sistemit prokurorial dhe mbrojtja nga ndikimi i papërshtatshëm.

Krasniqi ka sqaruar se kjo çështje nuk ishte adresuar gjatë vitit për të cilin është hartuar raporti, por ka bërë të ditur se Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit së fundmi ka zbatuar një masë në këtë drejtim, e cila pritet të përfshihet si e arritur në raportin e ardhshëm.

“Gjithashtu kemi edhe disa sfida, po i përmend vetëm shkurtimisht. Pavarësia dhe mbrojtja nga ndikimi i papërshtatshëm; kjo faktikisht për vitin 2025 nuk ka qenë e adresuar, mirëpo së fundmi, nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, vetë se është zbatuar dhe në raportin e radhës, sigurisht se do të evidentohet si e arritur. Por, meqenëse e kemi pasur vitin 2025, nuk kemi mundur që ta fusim si e arritur e asaj kohe”, ka deklaruar ai.

Një tjetër sfidë e evidentuar në raport është siguria e prokurorëve. Krasniqi ka thënë se raporti përmban të dhëna për këtë çështje, por ka theksuar se nevojiten matje dhe analiza shtesë për të vlerësuar më mirë sigurinë e kësaj kategorie.

“Siguria e prokurorëve; janë evidentuar edhe të dhënat sa i përket sigurisë së prokurorëve. Ajo që ndoshta i mbetet si punë e Këshillit është që disa matje, disa analiza të për këtë kategori, pra që të zhvillohen, sepse nuk janë kryer gjatë vitit 2025”, ka shtuar Krasniqi.

Raporti i prezantuar përmban 107 faqe dhe përfshin të arriturat, sfidat, përfundimet dhe rekomandimet për zbatimin e Planit Strategjik dhe Planit të Veprimit të Sistemit Prokurorial.

Burimi: Dukagjini