Kryesuesi i Delegacionit të Kosovës në APF, Nezir Kraki kërkon në Bruksel trajtim të barabartë të Kosovës dhe njohje sa më të shpejtë nga pesë vendet hezituese të BE-së.
Në vazhdim të punimeve të Sesionit të 38-të të Asamblesë Rajonale të Frankofonisë (APF), delegacioni i Kuvendit të Republikës së Kosovës, i përbërë nga kryesuesi, deputeti Nezir Kraki dhe anëtarja, deputetja Eliza Hoxha, mori pjesë në seancën plenare të mbajtur në Parlamentin Evropian në Bruksel, si dhe në punimet e zhvilluara në Parlamentin e Federatës Eallonie-Bruxelles (PFWB).
Tema qendrore e sesionit ishte “Evropa përmes vlerave, gjuhëve dhe kulturave”, ndërsa diskutimet u zhvilluan në tri panele tematike, kushtuar rolit të vlerave evropiane në një botë në krizë, shumëgjuhësisë dhe të drejtave të fëmijëve.
Në kuadër të panelit të parë, kushtuar rolit të vlerave evropiane në një botë në krizë, kryesuesi i delegacionit të Kuvendit të Kosovës, deputeti Nezir Kraki, në ndërhyrjen e tij ngriti çështjen e trajtimin të pabarabartë në procesin e integrimit dhe kërkoi që edhe Kosovës t’i aplikohen kriteret gjeopolitike të kontekstit evropian të sigurisë, derisa kërcënimet i ka të njëjta me vende si Ukraina apo Moldavia. Deputeti Kraki po ashtu u bëri thirrje shteteve që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës që ta bëjnë këtë, sepse, siç tha ai, vetëm ashtu do dëshmohej respekt ndaj vlerave mbi të cilat u krijua vet Bashkimi Evropian.
Gjithashtu, gjatë diskutimit me eurodeputetin dhe ish-kryeministrin e Belgjikës, Elio Di Rupo, deputeti Kraki theksoi rëndësinë e avancimit të perspektivës evropiane të Kosovës dhe kërkoi mbështetjen e tij për procesin e integrimit dhe anëtarësimit të Republikës së Kosovës në Bashkimin Evropian.
Në kuadër të punimeve të Asamblesë u trajtuan edhe çështje që lidhen me funksionimin dhe aktivitetet e ardhshme të APF-së, përfshirë projektin për rininë “Evropa 2027”, reformën e kuotave të anëtarësisë, përcjelljen e aktiviteteve të bashkëpunimit për vitin 2026 dhe planifikimin e aktiviteteve për vitin 2027.
Po ashtu u shqyrtua kalendari i takimeve të ardhshme dhe u përcaktuan datat dhe vendndodhjet e Sesionit të ardhshëm të Asamblesë Rajonale për Evropën për vitin 2027/2028 (Armenia, 2027 dhe Hungaria,2028) si dhe të Konferencës së Kryetarëve të Seksioneve Evropiane (CPRE), e cila do të mbahet në Vallée d’Aoste.
Pjesëmarrja e delegacionit të Kuvendit të Republikës së Kosovës në këtë sesion përbën një mundësi të rëndësishme për artikulimin e qëndrimeve të Kosovës në forumet ndërkombëtare parlamentare, avancimin e marrëdhënieve me përfaqësuesit e parlamenteve evropiane dhe forcimin e mbështetjes për integrimin evropian të vendit.
Punimet e Sesionit të 38-të të Asamblesë Rajonale për Evropën u përmbyllen në Parlamentin e Federatës Wallonie-Bruxelles (PFWB), me një pikë të veçantë kushtuar të drejtave të fëmijëve, në shënim të Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Fëmijës.
Burimi: RTKLive
