
Avokati i familjes së Arlinda Zekajt, Besnik R. Berisha, ka paralajmëruar zhvillime të reja në hetimet për vrasjen e saj, duke bërë të ditur se janë dorëzuar prova që, sipas tij, forcojnë dyshimet për përfshirjen e personave të tjerë në këtë rast.
Berisha ka folur pas shtyrjes së seancës së shqyrtimit fillestar ndaj Jeton Sylajt në Gjykatën Themelore në Pejë, e cila nuk u mbajt pas kërkesës së tij, për shkak të mangësive që kishte evidentuar në aktakuzën e Prokurorisë.
Avokati ka theksuar se tashmë e ndjera Arlinda Zekaj nuk ishte cilësuar në aktakuzë si viktimë e ndjeshme, lëshim të cilin ai e ka cilësuar si skandaloz.
Duke folur për zgjerimin e hetimeve, Berisha deklaroi se janë ofruar prova që, sipas tij, mbështesin dyshimin e bazuar se vrasja e Arlindës kishte edhe shtytës.
“Ne kemi ofruar prova të mjaftueshme që Jetoni është shtytës i vrasjes së saj”, deklaroi Berisha, duke shtuar se vlerësimi i këtyre provave i mbetet Prokurorit të Shtetit.
Avokati paralajmëroi se arrestimet e ish-vjehrrës, Nurije Sylaj, dhe ish-kunatit, Driton Sylaj, mund të mos jenë zhvillimet e fundit në këtë rast.
Ai foli gjithashtu për persona të tjerë që dyshohet se e kanë ndihmuar Albert Sylajn pas kryerjes së vrasjes, duke përmendur edhe familjarë që, sipas tij, i dyshuari i kishte shfrytëzuar gjatë periudhës para arrestimit.
Berisha ngriti dyshime edhe lidhur me rrethanat e dorëzimit të Albert Sylajt, duke deklaruar se ky i fundit kishte tentuar t’i vinte kushte Policisë.
Krime para, gjatë dhe pas vrasjes – Berisha paralajmëron përfshirjen e personave të tjerë
Avokati i familjes së viktimës tha se pret që ditëve në vijim të dalin në pah zhvillime të tjera lidhur me veprimet e dyshuara kriminale para, gjatë dhe pas kryerjes së vrasjes së Arlinda Zekajt.
Deklaratat e Berishës vijnë në ditën kur Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe Policia e Kosovës konfirmuan raportimin ekskluziv të Sinjalit për arrestimet e reja në këtë rast.
Prokuroria tashmë ka zgjeruar hetimet, ndërsa ka paralajmëruar parashtrimin e kërkesës për caktimin e masës së paraburgimit ndaj katër personave të ndaluar.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me aktgjykim të formës së prerë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali