Kriza te Unitedi, Carrick tronditet nga reagimi i tifozëve pas humbjes

Kriza te Unitedi, Carrick tronditet nga reagimi i tifozëve pas humbjes

Written by

in

Manchester Unitedi po kalon një periudhë të vështirë, ndërsa rezultatet e dobëta kanë shtuar dyshimet për të ardhmen e trajnerit anglez.

Pas humbjes nga Bournemouthi, “Djajtë e Kuq” kanë vetëm një fitore në tetë ndeshjet e para të Premierligës dhe renditen në pozitën e 16-të, plot 14 pikë larg kreut.

Carrick, i cili mori drejtimin e përkohshëm të skuadrës në janar pas largimit të Ruben Amorimit, u emërua trajner i përhershëm në maj. Pas rezultateve premtuese që e dërguan Unitedin drejt një vendi në Ligën e Kampionëve dhe pozitës së tretë në kampionat, skuadra nuk ka arritur ta vazhdojë të njëjtin ritëm.

Pas disfatës ndaj Bournemouthit, vetë Carrick pranoi se e ardhmja e tij dhe e stafit teknik është e pasigurt.

“Është një situatë e vështirë, nuk ka dyshim për këtë. Nuk e di vërtet se çfarë do të ndodhë apo cili do të jetë hapi i radhës”, deklaroi Carrick për “Sky Sports”.

Ai shtoi se do të vazhdojë të japë maksimumin për klubin, duke theksuar se ndihet përgjegjës për situatën aktuale.

Përplasjet brenda skuadrës e thellojnë krizën

Përveç rezultateve të dobëta, te Manchester Unitedi janë shtuar edhe tensionet brenda skuadrës. Një nga vendimet më të diskutuara të Carrickut ishte lënia në bankën rezervë e kapitenit Bruno Fernandes në ndeshjen ndaj Bournemouthit.

Mesfushori portugez kishte kritikuar publikisht qasjen taktike të trajnerit pas humbjes 4:1 ndaj Comos në Ligën e Kampionëve, duke shtuar tensionet në një ambient tashmë të trazuar.

Ndërkohë, mbrojtësi Lisandro Martinez kishte kërkuar falje për deklaratat e tij kontroverse ndaj drejtuesve të klubit, duke kërkuar më shumë investime në skuadër dhe mbështetje më të madhe nga drejtori teknik Jason Wilcox.

Këto zhvillime kanë shtuar pikëpyetjet për aftësinë e drejtuesve të klubit për ta nxjerrë Manchester Unitedin nga kriza.

Tifozët në mbështetje të Carrickut, kritikat drejtohen ndaj lojtarëve

Pavarësisht humbjes së rëndë, Carrick mori mbështetje nga tifozët pas përfundimit të ndeshjes. Ata brohoritën emrin e tij, ndërsa trajneri përshëndeste të pranishmit në stadiumin “Old Trafford”.

Carrick gëzon respekt të madh te tifozët për shkak të së kaluarës së tij si futbollist i Manchester Unitedit, me të cilin zhvilloi 464 paraqitje gjatë 12 vjetëve.

Duke komentuar brohoritjet, ai tha se përjetoi emocione të përziera dhe se mbështetja e tifozëve kishte domethënie të veçantë për të.

“Për mua, kjo nuk ishte një lamtumirë. Ndihem keq për atë që po kalojnë lojtarët e mi. Ata po përjetojnë një periudhë jashtëzakonisht të vështirë”, u shpreh trajneri.

Megjithatë, atmosfera ndryshoi pasi Carrick u largua nga fusha. Tifozët i shprehën pakënaqësitë ndaj futbollistëve, të cilët u përballën me vërshëllima pas një paraqitjeje që u konsiderua shumë larg pritshmërive.

Neville paralajmëron vendim të vështirë për drejtuesit

Ish-mbrojtësi i Manchester Unitedit, Gary Neville, vlerësoi se mbështetja e tifozëve për Carrickun mund të jetë shenjë se ata e kuptojnë se trajneri mund të jetë pranë largimit.

“Tifozët e Manchester Unitedit po brohorasin emrin e Michael Carrickut sepse ndoshta e kuptojnë se çfarë mund të ndodhë. Ata i kanë parë këto situata edhe më parë. Ai është njëri prej tyre dhe është shumë i dashur”, deklaroi Neville.

Ai kritikoi ashpër pronarët, drejtuesit sportivë dhe futbollistët, duke thënë se e kanë zhgënjyer klubin.

Sipas Neville, drejtori ekzekutiv Omar Berrada dhe drejtori teknik Jason Wilcox mund të detyrohen të marrin një vendim të vështirë për të ardhmen e Carrickut, edhe nëse kjo do të shkaktonte pakënaqësi te tifozët.

“Ka mundësi që ata të marrin një vendim nesër që do t’i zemërojë tifozët e Manchester Unitedit, por mund të jetë një vendim i domosdoshëm”, theksoi ai, duke e cilësuar situatën në klub si kaotike.

 

Burimi: RTKLive