Të gjitha kushtet kanë të bëjnë me luftën në Kroaci në fillim të viteve ‘90, kur Mali i Zi mori pjesë aktive përkrah Serbisë. Kërkesat e Kroacisë janë të vjetra me dekada, por Podgorica zyrtare deri tani nuk është marrë me zgjidhjen e tyre.
Mali i Zi, si shteti më i përparuar në procesin integrues, synonte t’i përfundonte negociatat me BE-në deri në fund të këtij viti. Kushtet e Kroacisë, e cila ka të drejtë vetoje, tani e vënë këtë kalendar në pikëpyetje.
Kjo duket edhe në dokumentin përfundimtar të samitit të BE-së. Me insistimin e Kroacisë, afati deri në fund të vitit u hoq dhe gjuha u zbut. Tani nuk përmendet më asnjë datë se kur mund të përfundojnë negociatat e anëtarësimit.
Kryeministri kroat konfirmoi se ndryshimet u bënë me insistimin e Zagrebit.
“Ka disa çështje të hapura – çështje vlerash, mes Kroacisë dhe Malit të Zi, për të cilat po zhvillojmë dialog me qeverinë e Malit të Zi. Me nismën tonë i ndryshuam konkluzionet, të cilat u dërguan një mesazh realist kolegëve në Mal të Zi që t’i përkushtohen bisedimeve me Kroacinë”, tha Andrej Plenkoviq, kryeministër i Kroacisë.
Mali i Zi mbetet kandidati më i përparuar, me dy të tretat e kapitujve negociues të mbyllur përkohësisht. Ai synon anëtarësimin e plotë gjatë vitit 2028. Mirëpo pa dritën jeshile të Zagrebit nuk mbyllen dot negociatat dhe nuk mund të nënshkruhet as Traktati i Anëtarësimit.
Burimi: RTKLive
