Arlinda Zekaj, e vrarë të dielën në Vitomiricë të Pejës, u kishte kërkuar institucioneve ndihmë dhe masa urgjente përpara se të vritej, duke paralajmëruar se rreziku për jetën e saj po vazhdonte.
Megjithatë, pas vrasjes së saj, Kryeprokurori i Shtetit, Zejnullah Gashi, ka deklaruar se përgjegjësit do të japin llogari “nëse ka lëshime eventuale”.
Gashi: Kushdo që ka dështuar do të japë llogari për lëshimet në rastin e Arlinda Zekajt
“Brenda disa ditëve, nesër ose pasnesër, do të dalim me një deklaratë sa i përket veprimeve që do t’i ndërmarrim për personat përgjegjës, nëse ka lëshime eventuale…
Nuk mund të them deklarata dhe të paragjykoj situata… jo vetëm sa i përket shkarkimit që është në aspektin disiplinor. Por edhe nëse ka elemente të dyshimit për ndonjë lëshim eventual të karakterin penal, personat do të jenë përgjegjës para ligjit. Këtë e garantoj para gjithë qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Gashi në Debat Plus.
Arlinda Zekaj, rreth tri ditë para vrasjes, i kishte dërguar një letër prej tri faqesh e gjysmë Kryeprokurorit të Shtetit, në të cilën kishte përshkruar kronologjinë e ngjarjeve dhe kishte kërkuar ndihmë. Këtë e ka bërë të ditur shoqja e saj, Natyra Kuçi, në Debat Plus në TV Dukagjini.
“Linda, rreth tri ditë më parë, i ka shkruar një letër prej tri faqesh e gjysmë Kryeprokurorit të Shtetit, ku ka përshkruar të gjithë kronologjinë e ngjarjes dhe i ka kërkuar ndihmë. Letra nuk është publikuar. Unë nuk e kam. Besoj se e ka avokatja”, ka deklaruar Kuçi.
Ajo ka treguar gjithashtu se Arlinda kishte kërkuar ndihmë disa herë edhe në polici.
Por Zekaj nuk i ishte drejtuar vetëm Kryeprokurorit të Shtetit. Më 22 tetor 2026 i kishte dërguar një parashtresë edhe kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, duke kërkuar masa urgjente ndaj zyrtarëve që, sipas saj, kishin dështuar në trajtimin e rastit.
Në letrën e saj, Zekaj kishte shkruar se zyrtarët po bartnin përgjegjësinë te njëri-tjetri, ndërsa rreziku për jetën e saj vazhdonte.
Zekaj u gjet pa shenja jete të dielën, rreth orës 21:10, në Vitomiricë të Pejës. Sipas Policisë, i dyshuar për vrasjen është kunati i saj, i cili ndodhet në arrati.
Vrasjes i kishte paraprirë një raportim për dhunë në familje, rreth orës 19:00. Viktima ishte intervistuar në stacionin policor, ndërsa bashkëshorti i saj ishte arrestuar dhe ndaluar për 48 orë.
Burimi: Dukagjini
