Kryeprokurorja e Pejës dinte për rrezikun ndaj Arlinda Zekajt, por nuk veproi – Detaje nga vendimi i KPK-së

Kryeprokurorja e Pejës dinte për rrezikun ndaj Arlinda Zekajt, por nuk veproi – Detaje nga vendimi i KPK-së

Written by

in

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka publikuar vendimin për suspendimin e kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, duke dhënë detaje mbi arsyet që çuan në këtë masë disiplinore.

Sipas vendimit të datës 29 tetor, Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, kishte kërkuar fillimin e hetimeve disiplinore ndaj Vuçetajt, pas shqyrtimit të një raporti të hartuar nga koordinatori për dhunë në familje në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit.

Vendimi i plotë i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK).

Në arsyetimin e vendimit thuhet se Vuçetaj, në cilësinë e udhëheqëses së Prokurorisë Themelore në Pejë, kishte qenë në dijeni për kërkesat e vazhdueshme të Arlinda Zekajt, e cila ishte palë e dëmtuar në rastet e trajtuara nga kjo prokurori.

Sipas raportit, kryeprokurorja ishte njoftuar për urgjencën e kërkesave të Zekajt dhe faktin se jetës së saj po i kanosej rrezik. Ajo, sipas dokumentit, kishte qenë gjithashtu në dijeni për raportet e prokurorëve që kishin trajtuar rastet e saj, si dhe për raportet zyrtare të Policisë lidhur me nivelin e rrezikshmërisë.

Në vendim thuhet se Vuçetaj ishte njoftuar edhe nga Këshilli Prokurorial, kryesuesi i tij, Arjan Gashi, dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, të cilët kishin kërkuar trajtimin e kërkesave urgjente të Zekajt.

Megjithatë, sipas vlerësimit të Autoritetit Kompetent, ajo kishte dështuar të ndërmerrte veprimet e nevojshme prokuroriale, duke mos e marrë parasysh seriozitetin e kërkesave të parashtruara.

Dokumenti thekson se këto veprime dyshohet se përbëjnë shkelje disiplinore, përfshirë mosrespektimin e të drejtave të palëve të dëmtuara, veçanërisht të drejtës për mbrojtje, siguri dhe privatësi. Në arsyetim përmendet edhe neglizhenca e vazhdueshme në trajtimin e kërkesave urgjente, e cila, sipas Autoritetit Kompetent, kishte çuar në pasoja fatale për Zekajn.

Për këto arsye, më 29 tetor, Kryeprokurori i Shtetit kishte kërkuar nisjen e procedurës disiplinore dhe suspendimin e Vuçetajt, me qëllim të ruajtjes së integritetit dhe efektivitetit të hetimeve.

KPK-ja e ka miratuar kërkesën dhe ka vendosur që Vuçetaj të suspendohet menjëherë nga ushtrimi i detyrave zyrtare, me 50 për qind të pagës, deri në një vendim tjetër të Këshillit.

Vendimi për suspendimin e saj është marrë më 29 tetor, ndërsa procedura disiplinore ndaj kryeprokurores është në fazën e hetimeve.

Burimi: Dukagjini