Kryeredaktori i Informer-it në Serbi alarmohet nga shqyrtimi i rastit të Radoiçiqit, e quan atë hero: Sot të gjithë jemi Milan Radoiçiq

Kryeredaktori i Informer-it në Serbi alarmohet nga shqyrtimi i rastit të Radoiçiqit, e quan atë hero: Sot të gjithë jemi Milan Radoiçiq

Written by

in

Kryeredaktori i televizionit proqeveritar serb Informer, Dragan J. Vuçiqeviq, ndërpreu programin për të reaguar ndaj lajmit se Komisioni i Lartë i Prokurorisë Publike po shqyrton rrethanat e mosparaburgimit të Milan Radoiçiqit pas sulmit terrorisdt në Banjskë të Kosovës.

Lajmi i publikuar nga portali Nova se rasti kundër biznesmenit kontrovers Milan Radoiçiq, njeriu kryesor për organizimin e sulmit të armatosur në Banjskë, është nën shqyrtimin e Komisionit të Lartë të Prokurorisë Publike, shkaktoi reagim të menjëhershëm në televizionin Informer.

Kryeredaktori i këtij mediumi, Dragan J. Vuçiqeviq, e ndërpreu programin për të lexuar lajmin, të cilin e cilësoi si tronditës.

Ai më pas e interpretoi shqyrtimin e rastit si një përpjekje për arrestimin e Radoiçiqit, duke e paraqitur atë si hero serb.

“Në thelb, më lejoni ta përkthej në serbisht – ata duan ta arrestojnë heroin serb, Milan Radoiçiqin. Sot të gjithë jemi Milan Radoiçiq. Sot e arrestojnë atë, nesër do të na arrestojnë ne”, deklaroi Vuçiqeviq.

Në reagimin e tij ndërhyri edhe zëvendësi Dejan Vukeliq, i cili pretendoi se zhvillimet përbëjnë një shenjë të qartë se Kosova po njihet.

Sipas Nova, Komisioni i Lartë i Prokurorisë Publike, i përbërë nga pesë anëtarë, po shqyrton edhe vendimin përmes të cilit Radoiçiq nuk u dërgua në paraburgim pas marrjes në pyetje në Prokurorinë e Lartë Publike në Beograd, lidhur me konfliktin e armatosur në Banjskë.

Vëmendje e veçantë po i kushtohet rrethanave në të cilat nuk u kërkua paraburgimi i tij, pavarësisht seriozitetit të veprave për të cilat dyshohet.

Portali serb, Nova kishte raportuar më herët se prokurori Nikola Panteliq, i cili ndërkohë është avancuar në pozitën e kryeprokurorit në Prokurorinë e Lartë Publike në Pançevë, në propozimin për paraburgimin e Radoiçiqit kishte përmendur vetëm rrezikun e arratisjes si rrethanë që mund të pengonte procedurën.

Sipas këtij raportimi, prokurori nuk ishte mbështetur në tri rrethanat e tjera që mund të justifikonin paraburgimin: rrezikun e përsëritjes së veprës penale, ndikimin e mundshëm te dëshmitarët dhe shqetësimin e publikut. Pse këto rrethana nuk ishin përfshirë në kërkesën për paraburgim pritet të jetë gjithashtu pjesë e shqyrtimit nga Komisioni.

Radoiçiqi dhe sulmi në Banjskë

Pas sulmit të armatosur në Banjskë, më 24 shtator 2023, Milan Radoiçiq mori përgjegjësinë për organizimin e grupit të armatosur.

Pas marrjes në pyetje në Prokurorinë e Lartë Publike në Beograd, prokurori kishte kërkuar që ndaj tij të caktohej masa e paraburgimit deri në 30 ditë.

Në kërkesë ishte përmendur edhe fakti se Radoiçiq herë pas here qëndronte jashtë vendbanimit të tij për më shumë se 90 ditë, pa e raportuar këtë.

Tashmë, shqyrtimi i vendimit për mosparaburgimin e tij ka nxitur reagime në mediat proqeveritare serbe, ku Vuçiqeviq e paraqiti këtë zhvillim si një kërcënim jo vetëm ndaj Radoiçiqit, por edhe ndaj të tjerëve që e mbështesin atë.

Kosova e ka akuzuar Serbinë se qëndron prapa sulmit, ndërsa Beogradi zyrtar i ka mohuar këto akuza.

Nga 45 personat e akuzuar nga drejtësia e Kosovës për sulmin në Banjskë, tre janë dënuar. Të akuzuarit e tjerë, përfshirë Radoiçiqin, vazhdojnë të jenë në arrati dhe besohet se ndodhen në Serbi.

Kosova ka lëshuar disa fletarrestime ndaj Radoiçiqit, i cili është nën sanksione të Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe për lidhje me krimin e organizuar ndërkombëtar./TheGeoPost

Burimi: Dukagjini