Një kombinim aromatik, i frymëzuar nga kuzhina tajlandeze, që përgatitet lehtë dhe shpejt
Kungulli nuk duhet të përdoret vetëm për përgatitjen e piteve apo ëmbëlsirave. Në kombinim me vezët, hudhrën dhe borzilokun e freskët, ai shndërrohet në një pjatë aromatike dhe të lëngshme.
Ëmbëlsia e lehtë e kungullit harmonizohet për mrekulli me vezët, ndërsa borziloku i jep freski dhe aromë të veçantë. Ky specialitet i thjeshtë, i frymëzuar nga kuzhina tajlandeze, është ideal për një drekë ose darkë të lehtë.
Përbërësit:
- 600 g kungull
- 3 vezë
- 3 thelpinj hudhre
- 3 lugë gjelle vaj
- 1 lugë gjelle salcë soje
- ½ lugë çaji sheqer
- 100 ml ujë
- 1 grusht borzilok të freskët
- Kripë dhe piper, sipas shijes
Përgatitja:
Qërojeni kungullin, pastrojeni nga farat dhe priteni në kubikë me madhësi rreth dy centimetra. Grijeni imët hudhrën, ndërsa vezët thyeni në një enë dhe rrihini lehtë me pirun.
Në një tigan të madh, ngrohni dy lugë vaj, shtoni hudhrën dhe kaurdiseni për pak çaste, derisa të lëshojë aromën. Shtoni kungullin dhe skuqeni për pesë deri në shtatë minuta, duke e përzier herë pas here, derisa të marrë ngjyrë të artë.
Shtoni ujin, salcën e sojës dhe sheqerin. Mbulojeni tiganin dhe lëreni të ziejë në zjarr të ngadaltë për rreth dhjetë minuta, derisa kungulli të zbutet, por të ruajë formën. Nëse lëngu avullon përpara se kungulli të jetë gati, shtoni edhe pak ujë.
Zhvendoseni kungullin në njërën anë të tiganit, shtoni lugën e mbetur të vajit dhe hidhni vezët e rrahura. Prisni derisa të fillojnë të mpiksen, më pas përziejini lehtë dhe bashkojini me kungullin.
Vazhdoni skuqjen edhe për dy deri në tre minuta, derisa vezët të jenë gatuar plotësisht dhe copat e kungullit të mbulohen me një shtresë të butë vezësh.
Në fund, shtoni gjethet e freskëta të borzilokut, kripën dhe piperin sipas shijes. Përziejini shkurt, derisa borziloku të lëshojë aromën.
Shërbejeni menjëherë, sa është ende e ngrohtë, me një fetë bukë shtëpie ose si garniturë me oriz. /Telegrafi/