Kur do të miratohet strategjia shtetërore për ish-krerët e UÇK-së? Ja përgjigjja e deputetit të LVV-së

Kur do të miratohet strategjia shtetërore për ish-krerët e UÇK-së? Ja përgjigjja e deputetit të LVV-së

Written by

in

Kur do të miratohet strategjia shtetërore për ish-krerët e UÇK-së? Ja përgjigjja e deputetit të LVV-së

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj, ka deklaruar se ende nuk ka një afat konkret për miratimin e strategjisë shtetërore për mbështetjen e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në emisionin “Intervista e javës” në KosovaPress, ai ka thënë se grupi strategjik do ta përcaktojë fushëveprimin e tij në ditët në vijim, ndërsa si model për këtë proces është diskutuar ai kroat.

 Rexhaj ka sqaruar se grupi nuk do ta ushtrojë funksionin e avokatëve mbrojtës, por do të angazhohet në mbështetjen logjisitike, financiare dhe  në aspektin diplomatik.

 Qeveria, më 14 tetor, themeloi grupin punues për hartimin e strategjisë shtetërore për ish-krerët e UÇK-së, pas dënimit në shkallë të parë nga Gjykata Speciale.  

“Tash, modeli që është marrë, që u diskutua, dhe jo vetëm prej Lëvizjes Vetëvendosje, mirëpo edhe prej subjekteve të tjera, është modeli kroat. Jo pse përputhet, ta themi, në kuptimin sepse atje është një operacion ‘Stuhia’, këtu nuk ka pasur një gjë të tillë, por megjithatë si model është, meqenëse është, domethënë, në këtë Evropën Juglindore, në Ballkan, mendoj që është i arsyeshëm. Unë besoj saktësisht, pra, që ky grup strategjik do të formojë, ta themi, fushëveprimin e vet edhe në ditët në vazhdim do të jetë efektiv në aspektin e mbrojtjes. Mirëpo nuk bën t’i përzieni dy gjëra. Avokatët e tyre mbrojtës e kryejnë këtë fushën e mbrojtjes në aspektin legjislativ, sepse ky grup nuk e bën mbrojtjen, madje, nëse e dini… Edhe diplomatik, madje, sepse duhet edhe të lobohet në aspektin diplomatik që përfundimisht të hiqet kjo ndërmarrje e përbashkët kriminale edhe realisht të rikthehet në vend reputacioni i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës edhe i Republikës së Kosovës”, tha ai.

Për ligjin e sapomiratuar që lidhet me Dhomat e Specializuara në Hagë, Rexhaj deklaroi se LVV-ja ka dilema për kushtetutshmërinë dhe shqetësimet e ngritura nga Bashkimi Evropian.

I pyetur për qëndrimet e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, për Gjykatën Speciale dhe për dallimet e mundshme brenda LVV-së pas miratimit të Ligjit për Specialen, Rexhaj ka thënë se nuk sheh problem në deklarimet e saj. Ai ka vlerësuar se mbështetja ndaj ish-krerëve të UÇK-së duhet të jetë përtej dallimeve partiake dhe të përfshijë institucionet, partitë politike dhe shoqërinë civile.

Rexhaj ka komentuar edhe deklaratat e Daut Haradinajt nga Aleanca lidhur me pretendimet për praninë e bombave në protestat e 5 dhe 6 tetorit. Ai i ka kërkuar Haradinajt të tregojë se ku i ka parë ato, duke thënë se pretendimet për mjete të tilla duhet t’u raportohen organeve kompetente.

Ai ka treguar gjithashtu se gjatë protestës së 5 tetorit, vetura e tij ishte goditur me gurë dhe tulla. Sipas tij, ai e kishte njoftuar policinë, ndërsa reagimin e saj e ka vlerësuar si profesional.

Sa i përket presidentes, Justina Shiroka-Pulës, Rexhaj e ka cilësuar atë si emër konsensual që mund të kontribuojë në paanësi politike dhe stabilitet.