Kur shteti nuk dëgjon

Kur shteti nuk dëgjon

Written by

in


Nuk është e thënë që një institucion të mos e pranojë një kërkesë për të dështuar në mbrojtjen e qytetarit.

Ndonjëherë kërkesa pranohet, regjistrohet, përcillet dhe trajtohet sipas procedurave. Por, në fund, njeriu që ka kërkuar ndihmë mund të mbetet po aq i pambrojtur.

Kjo është ndoshta një nga çështjet më të rënda që na lë vrasja e fundit në Pejë.

Sepse, përtej kronologjisë së ngjarjes, deklaratave institucionale dhe përgjegjësisë penale që duhen të përcaktohen nga drejtësia, mbetet një fakt që nuk mund të anashkalohet: një grua kishte paralajmëruar se jeta e saj ishte në rrezik. Tre ditë më vonë, ajo u vra.
Nuk e dimë ende nëse të gjitha institucionet përgjegjëse kanë vepruar në përputhje me detyrimet e tyre. Kjo duhet të sqarohet përmes një hetimi të plotë.

Por, ky rast na detyron të flasim për diçka që shkon shumë më larg se një vrasje, një qytet apo një institucion.

Për mënyrën se si shoqëria jonë e kupton dhunën. Për raportin që kemi me pushtetin dhe autoritetin. Dhe, mbi të gjitha, për ndikimin që mentaliteti patriarkal mund të vazhdojë të ketë edhe brenda institucioneve që duhet të garantojnë mbrojtje të barabartë për të gjithë.

Patriarkalitetin shpesh e përfytyrojmë si një burrë që vendosë për gruan, si një familje ku fjala e fundit i takon mashkullit apo si një mendësi që i përket së kaluarës. Por, ai është shumë më kompleks. Ai mund të jetë edhe te mënyra se si relativizohet kërcënimi; si arsyetohet kontrolli; si këshillohet gruaja të durojë për hir të familjes dhe si një konflikt i dhunshëm vazhdon të konsiderohet çështje private.

Më shqetësues është fakti se këto bindje nuk mbeten domosdoshmërisht brenda familjes. Ato mund të ndikojnë edhe në mënyrën se si një zyrtar e interpreton një denoncim, si vlerësohet rreziku dhe sa urgjente konsiderohet kërkesa për mbrojtje.

Sepse, institucionet nuk janë të shkëputura nga shoqëria. Njerëzit që punojnë në to janë pjesë e të njëjtit mjedis kulturor – me gjithë përparimin – por, edhe me paragjykimet që ai vazhdon të bartë.

Kjo nuk dëshmon se në rastin konkret ka pasur vendimmarrje të ndikuar nga patriarkaliteti. Por, është një çështje serioze që nuk duhet përjashtuar nga analiza e mënyrës se si trajtohet dhuna ndaj grave.

Peja, qyteti ku linda, ka përjetuar ndër vite tragjedi të rënda. Që nga paslufta kemi dëgjuar për vrasje të lidhura me konflikte familjare, pronësore dhe personale. Secila ka historinë dhe rrethanat e veta, dhe nuk do të ishte e drejtë të ndërtonim një profil të një qyteti të tërë mbi krimet e individëve.

Pejën nuk dua ta shoh përmes kronikës së zezë. Është qyteti me të cilin më lidhin kujtime dhe një ndjenjë përkatësie që nuk ndryshon nga ngjarjet e rënda që ndodhin aty. Por, pikërisht kjo lidhje më bën të besoj se nuk i bëjmë nder as qytetit, as vetes, nëse përballë tragjedive të përsëritura zgjedhim vetëm të tronditemi, pa u përpjekur t’i kuptojmë shkaqet e tyre.

Një nga çështjet për të cilat duhet të reflektojmë është kultura e zgjidhjes së konfliktit.

Në një shoqëri ku autoriteti për një kohë të gjatë është lidhur me forcën, ku tërheqja mund të shihet si dobësi dhe ku krenaria personale shpesh vendoset mbi arsyen, konflikti mund të marrë përmasa që shkojnë shumë përtej shkakut fillestar.

Në aspektin psikologjik, dhuna në marrëdhënie shpesh lidhet me nevojën për kontroll, me paaftësinë për të pranuar refuzimin dhe me bindjen se tjetri duhet t’i nënshtrohet vullnetit tonë. Këto sjellje nuk janë të pashmangshme. Ato ndikohen nga edukimi, përvojat personale dhe normat që një mjedis i caktuar i toleron.

Kjo nuk do të thotë se çdo vrasje mund të shpjegohet përmes të njëjtit model psikologjik. Por, do të thotë se dhuna duhet të kuptohet edhe përpara se të shfaqet në formën e saj më ekstreme. Dhe, pikërisht këtu duhet të fillojë roli i shtetit. Jo vetëm në ndëshkimin e krimit, por në njohjen e shenjave që mund t’i paraprijnë atij.

Prokuroria Themelore në Pejë ka deklaruar se kërkesa e viktimës ishte pranuar dhe përcjellë për trajtim urgjent. Ky është një fakt i rëndësishëm dhe duhet marrë parasysh. Por, ekziston një dallim thelbësor ndërmjet përmbushjes së një procedure dhe mbrojtjes efektive të një personi.

Nuk besoj se përgjegjësia institucionale mund të matet vetëm me respektimin e procedurave. Procedurat janë të domosdoshme, por ato janë mjet, jo qëllim në vetvete. Në rastet kur rrezikohet jeta, pyetja nuk duhet të jetë vetëm nëse është vepruar sipas rregullave, por edhe nëse sistemi ka bërë gjithçka që ka pasur detyrim dhe mundësi të bëjë për ta parandaluar tragjedinë.
Një dokument mund të jetë administruar siç duhet, ndërsa rreziku të mos jetë menaxhuar mjaftueshëm.

Nuk po them se kjo ka ndodhur domosdoshmërisht në rastin konkret. Por, pikërisht kjo duhet të hetohet.

Çfarë dinin institucionet? Kur e morën informacionin? Si e vlerësuan rrezikun? A u koordinuan ndërmjet tyre? Dhe, a u ndërmorën masat që kërkonin rrethanat?

Këto nuk janë pyetje që synojnë të paragjykojnë përgjegjësinë e dikujt. Janë pyetje që një shtet serioz duhet t’ia bëjë vetes sa herë që një person vritet pasi ka kërkuar mbrojtje.

Vetëm gjatë vitit 2026, deri në fund të tetorit – sipas statistikave të raportuara në media – tetë gra janë vrarë brenda familjes në Kosovë. Që nga viti 2010, numri i raportuar është 67.

Nuk e dimë sa prej këtyre vrasjeve mund të ishin parandaluar. Nuk mund t’i trajtojmë si raste identike dhe as t’ua atribuojmë të gjitha të njëjtave shkaqe.

Por, kemi mjaftueshëm arsye për të pyetur nëse institucionet dhe shoqëria po mësojnë nga rastet e mëparshme. Sepse, ajo që përsëritet nuk është vetëm dhuna. Përsëritet edhe mënyra se si reagojmë ndaj saj.
Tronditemi, reagojmë, kërkojmë drejtësi dhe, pas disa ditësh, vëmendja jonë zhvendoset. Derisa një tjetër tragjedi të na kthejë te të njëjtat pyetje.

Kjo përsëritje rrezikon të krijojë një lloj mpirjeje kolektive. Jo sepse njerëzit nuk ndiejnë dhimbje, por sepse fillojnë ta perceptojnë dhunën si diçka që ndodh pavarësisht reagimit të tyre.

Dhe, një shoqëri që mësohet me tragjeditë rrezikon ta humbasë ndjenjën e urgjencës për t’i parandaluar ato.

Për këtë arsye, debati ynë nuk duhet të kufizohet te ashpërsia e dënimit për autorin e vrasjes. Ndëshkimi është i domosdoshëm, por vjen pasi dëmi më i rëndë tashmë është shkaktuar. Drejtësia duhet të ketë edhe një dimension parandalues. Ajo duhet të jetë në gjendje ta kuptojë rrezikun, të reagojë në kohë dhe të ofrojë mbrojtje reale për ata që e kërkojnë. Për këtë duhen institucione profesionale, përgjegjësi të qarta dhe bashkëpunim efektiv. Por, duhet edhe një ndryshim më i thellë në mënyrën se si e shohim dhunën dhe viktimën.

Duhet ta pranojmë se patriarkaliteti nuk zhduket vetëm pse kemi miratuar ligje moderne. Ai nuk zhduket as me fushata sensibilizuese apo deklarata publike për barazinë gjinore. Ai fillon të humbasë ndikimin kur kontrolli nuk arsyetohet më si kujdes, kur kërcënimi nuk relativizohet si zemërim i çastit dhe kur fjala e një gruaje që kërkon mbrojtje trajtohet me të njëjtin seriozitet si çdo paralajmërim tjetër për rrezik ndaj jetës.

Ne nuk jemi të gjithë përgjegjës për krimin që kryen një individ. Por, kemi përgjegjësi për normat që tolerojmë, për heshtjen që zgjedhim dhe për standardet që kërkojmë nga institucionet tona.

Rasti i fundit në Pejë duhet të na shërbejë për ta shqyrtuar pikërisht këtë hendek ndërmjet ligjit dhe praktikës, ndërmjet procedurës dhe përgjegjësisë, ndërmjet asaj që institucionet deklarojnë se bëjnë dhe mbrojtjes që qytetari realisht merr. Sepse, shteti nuk është vetëm një tërësi ligjesh, institucionesh dhe procedurash. Ai është edhe besimi që qytetari ka se, në momentin kur jeta e tij është në rrezik, dikush do ta dëgjojë dhe do të veprojë.
Dhe, kur ky besim vihet në pikëpyetje, pasojat shkojnë shumë më larg se një rast i vetëm.

Përgjegjësia penale për një vrasje është individuale dhe duhet të përcaktohet nga drejtësia. Por, përgjegjësia për një shoqëri ku kërcënimi normalizohet, dhuna relativizohet dhe mekanizmat mbrojtës mund të mos funksionojnë, është shumë më e gjerë.

Me profesion jam gazetar dhe ka raste kur është e vështirë të mbetesh vetëm vëzhgues. Vrasja e fundit në Pejë, paralajmërimi që i kishte paraprirë dhe reagimet e shumta që pasuan, e bëjnë të vështirë të qëndrosh indiferent.

Edhe ky shkrim është një përpjekje për të kontribuar në një debat që nuk duhet të përfundojë me zbehjen e vëmendjes publike – me shpresën se, më në fund, dhuna ndaj grave do të trajtohet nga shteti jo vetëm si një problem për të cilin duhet reaguar pas çdo tragjedie, por si një fenomen që kërkon vëmendje të vazhdueshme, përgjegjësi institucionale dhe veprim konkret për ta parandaluar.

Në fund, ndoshta pyetja më e rëndësishme nuk është pse një grua e paralajmëroi vrasjen e saj. Pyetja është çfarë duhet të bëjë një grua tjetër që paralajmërimi i saj të mos përfundojë si dëshmi pas vdekjes.