
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka bërë thirrje presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, që ta njohë pavarësinë e Kosovës, duke theksuar se rasti i Kosovës nuk mund të krahasohet me aneksimin e Krimesë nga Rusia. Sipas Kurtit, njohja nga Ukraina do ta demaskonte pretendimin e presidentit rus, Vladimir Putin, i cili e përdor rastin e Kosovës për të justifikuar veprimet e Moskës në Krime.
Në një opinion të publikuar në median ukrainase “Kyiv Post”, Kurti ka kritikuar qëndrimin e deritanishëm të Ukrainës për mosnjohjen e Kosovës. Ai ka rikujtuar se presidenti Zelensky e kishte konfirmuar këtë qëndrim gjatë një deklarimi në Beograd, në gusht të këtij viti.
Kreu i Qeverisë ka theksuar se Kosova e ka mbështetur vazhdimisht Ukrainën përballë agresionit rus, duke dënuar sulmet e Moskës, duke iu bashkuar sanksioneve të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, si dhe duke ofruar strehim për gazetarët ukrainas dhe ndihmë e trajnime ushtarake.
“Në gushtin e kaluar, presidenti Volodymyr Zelensky deklaroi se qëndrimi i Ukrainës ndaj Kosovës, përkatësisht mosnjohja e saj, mbetet i pandryshuar. Ajo që ra në sy ishte fakti se kjo deklaratë u bë në Beograd, kryeqytetin e Serbisë, një prej aleatëve më të afërt të Rusisë. Kosova, nga ana tjetër, e ka ruajtur edhe qëndrimin e saj ndaj Ukrainës: atë të mbështetjes. Ne e kemi dënuar agresionin e Moskës, jemi rreshtuar me sanksionet e SHBA-së dhe Bashkimit Evropian, kemi strehuar gazetarë ukrainas dhe kemi kontribuar me ndihmë dhe trajnime ushtarake”, ka shkruar Kurti.
Ai ka kundërshtuar pretendimet e presidentit rus, Vladimir Putin, i cili e përdor rastin e Kosovës për të arsyetuar aneksimin e Krimesë. Sipas Kurtit, ky krahasim synon të diskreditojë Perëndimin dhe të paraqesë si të barasvlershme dy raste që, sipas tij, dallojnë thelbësisht nga njëri-tjetri.
“Gabimi qëndron në trajtimin e të gjitha pretendimeve për vetëvendosje sikur të ishin të këmbyeshme nga pikëpamja juridike dhe politike. Ato nuk janë të tilla. Njohja e Kosovës nuk krijon një rregull automatik për çdo kontest tjetër territorial. Secili rast duhet të vlerësohet mbi bazën e historisë së vet, fakteve të veta dhe, çka është thelbësore, veprimeve konkrete të shteteve të përfshira”, ka shkruar Kurti.
Kryeministri ka argumentuar se pavarësia e Kosovës ishte rezultat i një procesi të gjatë, të shoqëruar me shtypjen e shqiptarëve, luftën, spastrimin etnik, ndërhyrjen e NATO-s dhe negociatat ndërkombëtare.
Në këtë kontekst, ai i është referuar edhe opinionit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të vitit 2010, sipas të cilit shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk e kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare.
Sipas Kurtit, njohja e Kosovës nga Ukraina do ta rrëzonte argumentin e Putinit se rasti i Kosovës dëshmon se demokracitë perëndimore nuk e respektojnë ligjin.
“Njohja do ta hidhte poshtë pretendimin e Putinit se Kosova është dëshmi se demokracitë perëndimore nuk respektojnë ligjin. Ajo do ta refuzonte përpjekjen e tij për t’i futur rastet e ndryshme në të njëjtin kallëp, për t’i shërbyer një argumenti të leverdishëm për të”, ka shkruar tutje kryeministri.
Në opinionin e tij, Kurti ka theksuar se ndryshimi i kufijve përmes forcës ushtarake nuk mund të barazohet me të drejtën e një populli për vetëvendosje. Sipas tij, ky dallim është i rëndësishëm jo vetëm për Ukrainën, por edhe për shtetet e tjera që hezitojnë ta njohin Kosovën për shkak të kontesteve të tyre territoriale.
“Ndryshimi i kufijve përmes tankeve të një fuqie të madhe nuk është i njëjtë me një status të arritur pas një lufte çlirimtare, administrimi ndërkombëtar dhe diplomacie. Pushtimi nuk është vetëvendosje. Aneksimi nuk është pavarësi. Kutitë e votimit në referendum nuk duhet të barten nga ushtarët e një shteti fqinj, ashtu siç bënë ushtarët rusë në Krime. Vetëvendosja është e drejtë e një populli për të vendosur për veten, një akt çlirimi në kërkim të barazisë dhe lirisë, demokracisë emancipuese dhe pavarësisë së vërtetë, e jo zgjerim apo shtrirje e një shteti tjetër në funksion të ambicieve të tij hegjemoniste. Kjo ka rëndësi jo vetëm për Ukrainën, por për çdo vend që heziton ta njohë Kosovën nga frika se çfarë mund të nënkuptojë kjo për kontestet e veta territoriale”, vijon shkrimi i tij.
Kurti ka vlerësuar se njohja e Kosovës nga Ukraina nuk do të përbënte një favor ndaj vendit tonë, por do të ishte një veprim në mbrojtje të rendit ndërkombëtar, të cilin Ukraina po e mbron përballë agresionit rus.
“Presidenti Zelensky duhet ta njohë Kosovën jo si një favor ndaj nesh, por sepse një veprim i tillë do ta forconte pikërisht rendin ndërkombëtar që Ukraina ka kaluar vite duke e mbrojtur; një rend në të cilin historia nuk është licencë për pushtim, kufijtë nuk ndryshohen me forcë dhe shteteve të vogla nuk u mohohet e ardhmja nga shtetet më të mëdha”.
Ai ka theksuar gjithashtu se Kosova dhe Ukraina ndajnë orientimin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe NATO, duke vlerësuar se njohja do ta forconte edhe më tej këtë perspektivë të përbashkët.
“Krimea është Ukrainë. Dhe Kosova është Kosovë”, ka përfunduar Kurti opinionin e tij.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali