
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Kosova, ndonëse është shtet i pavarur, nuk është e shkëputur nga kombi shqiptar, duke theksuar lidhjet e veçanta ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.
Këto komente Kurti i bëri në pritjen e organizuar nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Kosovë, me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë.
Gjatë fjalimit të tij, ai tha se Republika e Kosovës përfaqëson pjesën e kombit shqiptar që jeton në Kosovë, si dhe pakicat kombëtare e etnike që përbëjnë qytetarinë e saj.
“Republika jonë është shteti i pjesës së kombit shqiptar që jeton në Kosovë dhe i pakicave kombëtare dhe etnike që përbëjnë qytetarinë e saj. Republika përpiqet që të realizojë aspiratën e 28 Nëntorit për të gjithë qytetarët e saj”, ka deklaruar Kurti.
Duke folur për raportet ndërmjet dy shteteve, kryeministri i cilësoi ato si vëllazërore dhe strategjike, duke theksuar se bashkëpunimi Kosovë-Shqipëri ka rëndësi jo vetëm për kombin shqiptar, por edhe për paqen dhe sigurinë në Evropën Juglindore.
“Republika e Kosovës është më vete, por jo e mosvarur ndaj kombit shqiptar, prandaj marrëdhëniet me Republikën e Shqipërisë i kemi konsideruar gjithnjë vëllazërore dhe strategjike për kombin tonë mbarë, por njëkohësisht edhe për paqen e sigurinë në Evropën Juglindore”, ka shtuar ai.
Kurti bëri të ditur se deri më tani Kosova dhe Shqipëria kanë nënshkruar gjithsej 190 marrëveshje bashkëpunimi, të cilat përfshijnë fusha të ndryshme, përfshirë arsimin, ekonominë, energjinë, infrastrukturën, shëndetësinë dhe sigurinë.
Në fjalimin e tij, kryeministri ritheksoi edhe synimin e Kosovës për anëtarësim në NATO dhe Bashkimin Evropian, si dhe rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve me aleatët perëndimorë.
Ai theksoi se Kosova, ndonëse ende nuk është anëtare e NATO-s, për katër vjet radhazi ka përmbushur kriterin e investimeve në siguri në nivelin prej dy për qind të Bruto Produktit Vendor.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali