
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar që Bashkimi Evropian ta shqyrtojë aplikimin e Kosovës për anëtarësim dhe t’i hapë rrugë nisjes së negociatave për anëtarësim, duke theksuar se vendi nuk duhet të trajtohet ndryshe nga shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor.
Këtë kërkesë Kurti e ka paraqitur gjatë një adresimi dhe diskutimi në Institutin për Çështje Ndërkombëtare dhe Evropiane (IIEA) në Dublin të Irlandës, ku ishte i ftuar të fliste për temën “Rrugëtimi i Kosovës: nga shtetësia drejt integrimit evropian”, njofton Zyra e Kryeministrit.
Gjatë fjalimit, Kurti ka theksuar se Kosova mbetet i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që ende nuk e ka marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE, ndonëse aplikimin e ka dorëzuar më 15 dhjetor 2022, gjatë presidencës çeke të Këshillit të Bashkimit Evropian.
“Irlanda është presidenca e tetë që nga ajo kohë dhe ne ende mbetemi i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor pa status kandidati. Aplikimi ynë duhet të vlerësohet dhe ne duhet t’i fillojmë negociatat për anëtarësim. Ne kurrë nuk kemi kërkuar trajtim të veçantë, vetëm trajtim të barabartë”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka vlerësuar se Kosova ka shënuar përparim në përafrimin e legjislacionit, politikave dhe institucioneve me standardet evropiane, veçanërisht që nga hyrja në fuqi e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit në vitin 2016.
Sipas tij, gjatë kësaj periudhe janë ndërmarrë reforma në sektorin e energjisë, administratën publike, punësim dhe zhvillim industrial, ndërsa vendi ka përshpejtuar edhe tranzicionin e gjelbër dhe atë digjital.
Kryeministri ka kërkuar gjithashtu që procesi i integrimit evropian të jetë i drejtë dhe i besueshëm, duke theksuar se mosmarrëveshjet dypalëshe nuk duhet të pengojnë përparimin e Kosovës në fusha të tjera.
“Mosmarrëveshjet dypalëshe duhet ta kenë kapitullin e tyre të veçantë në procesin e anëtarësimit, në mënyrë që një çështje të mos e bllokojë përparimin në të gjitha fushat e tjera që përmirësojnë jetën e qytetarëve”, ka thënë ai.
Në adresimin e tij, Kurti është ndalur edhe te marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Irlandës, duke përmendur vlerat e përbashkëta, rolin e diasporës dhe lidhjen historike përmes Nënë Terezës. Ai ka rikujtuar se Nënë Tereza, në moshën 18-vjeçare, kishte udhëtuar drejt Dublinit për t’iu bashkuar Motrave të Loretos.
Kurti ka shprehur mirënjohje për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Irlanda në vitin 2008, në të njëjtin muaj kur vendi shpalli pavarësinë.
Duke folur për zhvillimet e brendshme, kryeministri ka përmendur progresin demokratik, rritjen ekonomike dhe reformat institucionale. Ai ka deklaruar se ekonomia e Kosovës gjatë dekadës së fundit është rritur mesatarisht me mbi katër për qind në vit, pavarësisht sfidave të shkaktuara nga pandemia, kriza energjetike dhe inflacioni.
Një pjesë të fjalimit ia ka kushtuar edhe çështjeve të sigurisë, ku ka përmendur sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator 2023, si dhe sulmin ndaj infrastrukturës kritike në Varagë të Zubin Potokut, më 29 nëntor 2024.
Sipas Kurtit, këto sulme dëshmojnë se Serbia vazhdon të mbajë një qasje agresive ndaj Kosovës dhe paraqet kërcënim për sigurinë kombëtare.
“Përgjegjësia është thelbësore jo vetëm për drejtësinë, por edhe për parandalimin e sulmeve të ardhshme”, ka deklaruar ai.
Në fund, Kurti ka përsëritur se synimet strategjike të Kosovës mbeten anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe NATO. Ai ka theksuar se Kosova është plotësisht e harmonizuar me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, përfshirë sanksionet ndaj Rusisë dhe mbështetjen për Ukrainën.
Kryeministri ka shprehur pritjen që Irlanda, gjatë presidencës së saj të Këshillit të BE-së dhe edhe pas përfundimit të saj, të vazhdojë ta mbështesë rrugëtimin e Kosovës drejt integrimit evropian.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali