Kurti në Samitin e Berlinit: Është koha që Kosova të hapë negociatat për hyrje në BE

Kurti në Samitin e Berlinit: Është koha që Kosova të hapë negociatat për hyrje në BE

Written by

in

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar që Kosova të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe të nisë negociatat për anëtarësim.

Duke folur para mediave në Samitin e Procesit të Berlinit, që po mbahet në Miloçer, pranë Budvës në Mal të Zi, Kurti tha se Kosova ka dëshmuar funksionalitetin demokratik, stabilitetin institucional dhe rritjen ekonomike.

“Tani është koha që vendi ynë të marrë statusin e kandidatit dhe të hapë negociatat për hyrjen në BE. Mu për këtë do të bëj thirrje sot dhe çdo ditë, kundrejt çdo lideri të BE-së, që të kërkojnë opinionin nga Komisioni Evropian për këtë çështje”, u shpreh Kurti.

Samiti i Procesit të Berlinit mbledh liderë të Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësues të Bashkimit Evropian për të diskutuar integrimin evropian të rajonit, reformat dhe hapat e nevojshëm drejt anëtarësimit në BE.

Në takim pritet të marrin pjesë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kancelari gjerman, Friedrich Merz, kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviç, kancelari austriak, Christian Stocker, si dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski.

Pjesëmarrës të tjerë janë komisionerja e BE-së për Zgjerim, Marta Kos, ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani, dhe ministri francez për Evropën, Benjamin Haddad.

Diskutimet do të përqendrohen në bashkëpunimin rajonal, zbatimin e reformave dhe perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Liderët e Ballkanit Perëndimor mblidhen në Mal të Zi, merr pjesë edhe Kurti

Burimi: Dukagjini