
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka bërë thirrje presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, që ta njohë pavarësinë e Kosovës.
Në një opinion të publikuar në gazetën ukrainase “Kyiv Post”, Kurti ka rikujtuar qëndrimin e Ukrainës për mosnjohjen e Kosovës, duke iu referuar deklaratës së Zelenskyt nga gushti i kaluar, kur presidenti ukrainas kishte thënë se ky qëndrim mbetet i pandryshuar.
Kreu i Qeverisë ka theksuar se, pavarësisht kësaj, Kosova ka vazhduar ta mbështesë Ukrainën në përballjen me agresionin rus.
“Ne kemi dënuar agresionin e Moskës, jemi në përputhje me sanksionet e SHBA-së dhe BE-së, kemi strehuar gazetarë ukrainas dhe kemi kontribuar me ndihmë dhe trajnim ushtarak”, ka shkruar Kurti.
Ai ka vënë në pah ngjashmëritë mes historisë së Kosovës dhe Ukrainës, duke theksuar se të dyja vendet përballen me pretendime territoriale të bazuara në interpretime historike.
Në opinion, Kurti ka kundërshtuar përdorimin e rastit të Kosovës nga presidenti rus, Vladimir Putin, për të justifikuar aneksimin e Krimesë.
“Kosova nuk është precedent për Putinin”, ka theksuar Kurti, duke argumentuar se rastet e Kosovës dhe Krimesë kanë dallime thelbësore historike dhe juridike.
Ai ka rikujtuar se pavarësia e Kosovës, e shpallur më 17 shkurt 2008, ishte rezultat i një procesi të gjatë që përfshinte shtypjen e shqiptarëve, luftën e vitit 1999 dhe negociatat ndërkombëtare të udhëhequra nga Martti Ahtisaari.
Kurti i është referuar edhe opinionit këshillues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të vitit 2010, sipas të cilit shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk e kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare.
Në fund, Kurti ka theksuar se njohja e Kosovës nuk nënkupton krijimin e një precedenti automatik për mosmarrëveshjet e tjera territoriale, por njohjen e rrethanave të veçanta historike dhe juridike të vendit, transmeton Klankosova.tv.
“Nëse Ukraina do ta njihte Kosovën, kjo do të ishte një mënyrë për të zbuluar blofin e Putinit. Njohja do të rrëzonte pretendimin e Putinit se Kosova është dëshmi që demokracitë perëndimore nuk respektojnë ligjin. Ajo do të hidhte poshtë përpjekjen e tij për t’i shkrirë raste të ndryshme në një argument të vetëm e të përshtatshëm për të”, shkruan ai.