
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka rikthyer në vëmendje një pjesë më pak të njohur të historisë së shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, duke theksuar rolin e qindra telegrameve që u dërguan në qytete të ndryshme shqiptare para 28 Nëntorit 1912.
Në fjalimin e tij me rastin e Ditës së Flamurit, Kurti ka thënë se komunikimet telegrafike bartën mesazhet, thirrjet për organizim dhe përpjekjet për bashkim që i paraprinë ngritjes së flamurit në Vlorë. Ai i ka cilësuar këto telegrame si “flamurtha të pavarësisë”.
“Sa herë që vjen kjo ditë e shënuar e 28 Nëntorit, të gjithëve na shfaqet në mendje e njëjta pamje: një flamur që shpaloset nga ballkoni i asaj shtëpie në Vlorë ku qëndronte Ismail Qemali me atdhetarë të tjerë. Por sot dua të flas për një tjetër pamje: për një varg telegramesh që do të mund të quheshin flamurtha të pavarësisë”, ka thënë Kurti.
Ai ka përmendur telegramin e 9 nëntorit 1912, të dërguar nga Ismail Qemali prej Vjenës, përmes të cilit përcillej mesazhi se “e ardhmja e Shqipniës âsht sigurue”. Sipas tij, në ditët në vijim, komunikimet telegrafike u shtrinë në shumë qytete shqiptare.
Kurti ka theksuar se nëntë ditë më vonë, paria e Vlorës u dërgoi telegram kryetarëve të bashkive të 30 qyteteve, nga Janina në Shkodër dhe nga Kosturi në Peqin, me thirrjen për bashkim dhe ruajtjen e qetësisë deri në mbërritjen e Ismail Qemalit.
Kryeministri ka veçuar edhe rëndësinë e zyrave telegrafike në përcjelljen e mesazheve. Ai ka treguar se një telegram i pranuar në Elbasan në orën 10:40 ishte përcjellë më pas drejt Strugës, Ohrit, Korçës, Dibrës dhe Manastirit, ndërsa komunikimet me qytete të tjera kishin vazhduar edhe gjatë ditëve pasuese.
“Po niste pulsimi i zemrës së një shteti që bashkohej me rrahjet e aparatit telegrafik. Kjo ishte e gjithë infrastruktura e pavarësisë sonë: një tel prej bakri dhe disa njerëz që nuk ndaleshin së përcjelli fjalë nëpër këto shtigje të holla telash”, ka thënë ai.
Në fjalimin e tij, Kurti ka përmendur edhe situatën e rënduar ushtarake të asaj kohe, duke iu referuar një telegrami të 25 nëntorit, të dërguar nga komandanti serb Simoviq, përmes të cilit kërkohej dorëzimi i popullsisë së Ohrit dhe Strugës.
Ai ka rikujtuar se flamuri kombëtar ishte ngritur edhe në qytete të tjera para 28 Nëntorit, ndërsa më 28 nëntor 1912, në Vlorë, delegatët vendosën që Shqipëria të shpallej “e lirë e e mosvarme”.
Kurti ka theksuar se dokumentet historike dëshmojnë edhe për kontributin e njerëzve të zakonshëm në këtë proces, duke nisur nga telegrafistët e deri te banorët që përcillnin dhe financonin dërgimin e telegrameve.
“Liria dhe pavarësia nuk ranë nga qielli dhe nuk u dhuruan nga asnjë konferencë. Ato u përcollën me këmbëngulje brez pas brezi, fjalë pas fjale”, ka deklaruar Kurti, duke e lidhur këtë përpjekje me ngritjen e flamurit në Vlorë më 28 nëntor 1912.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali