Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për mediumin francez FRANCE 24, ka folur për procesin e integrimit evropian të Kosovës, marrëdhëniet me Serbinë dhe sfidat që vendi po përballet në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Kurti ka shprehur keqardhje që Kosova, katër vjet pasi ka aplikuar për anëtarësim në BE, ende nuk e ka marrë statusin e vendit kandidat.
Ai ka thënë se Kosova është i vetmi vend në Evropën kontinentale që nuk e ka këtë status, duke ia atribuuar vonesat dinamikave të brendshme në Këshillin Evropian.
“Ne jemi të vetmit në Evropë pa statusin e kandidatit. Kjo ndodh sepse Këshilli Evropian nuk po i kërkon Komisionit Evropian një opinion për Kosovën. Ne i kemi kryer të gjitha detyrat tona sa u përket indekseve demokratike, sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit, transparencës, lirisë së shtypit dhe demokracisë zgjedhore”, ka deklaruar Kurti.
Kreu i Qeverisë ka theksuar se Kosova nuk kërkon rrugë të shkurtra drejt anëtarësimit, por një proces të bazuar në meritë.
“Ne nuk duam rrugë të shkurtra, dyer të pasme apo procedura të përshpejtuara. Duam një proces të bazuar në meritë dhe jemi të gatshëm për këtë. Jemi të përgatitur t’u përgjigjemi me përkushtim mijëra pyetjeve në pyetësorin që ende nuk na është dërguar”, ka thënë ai.
Kurti ka shprehur shpresën se në javët ose muajt e ardhshëm Kosova do ta marrë statusin e vendit kandidat.
Duke folur për pesë shtetet anëtare të BE-së që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës – Spanjën, Qipron, Rumaninë, Greqinë dhe Sllovakinë – Kurti ka thënë se Prishtina ka shtuar bashkëpunimin dhe komunikimin me to.
Ai ka përmendur disa zhvillime që i ka cilësuar si shenja pozitive, përfshirë njohjen e pasaportës së Kosovës nga Spanja dhe ngritjen e statusit të zyrës së Kosovës në Athinë.
Megjithatë, Kurti ka thënë se këto zhvillime ende nuk kanë çuar në njohjen e pavarësisë nga këto shtete.
Sipas tij, mosnjohja nga pesë vendet nuk duhet të jetë pengesë për nisjen e procesit të anëtarësimit, pasi Kosova tashmë ka arritur Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit dhe liberalizimin e vizave me BE-në.
Në intervistë është diskutuar edhe për kritikat e Komisionit Evropian lidhur me reformat në sistemin e drejtësisë, veçanërisht për pavarësinë e gjyqësorit.
Kurti ka pranuar se ka kritika ndaj sistemit të drejtësisë dhe prokurorisë, por ka thënë se reformat kanë nisur.
Ai ka bërë të ditur se Kosova është pranë themelimit të një byroje për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.
“Ne i pranojmë kritikat e BE-së lidhur me gjyqësorin dhe prokurorinë. Prandaj edhe kanë nisur reformat. Jemi pranë themelimit të një byroje për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të pajustifikueshme. Nuk mund të kesh një pagë mesatare dhe një pallat të madh, apo disa të tillë”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka shtuar se vetë procesi i integrimit evropian, përmes hapjes dhe mbylljes së kapitujve dhe grupeve të kapitujve, do ta ndihmonte Kosovën në reformimin e sistemit të drejtësisë dhe administratës publike.
Sa i përket marrëdhënieve me Serbinë, Kurti ka thënë se është ende herët të vlerësohet nëse zhvillimet e fundit politike në këtë shtet do të hapin një kapitull të ri në raportet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
Megjithatë, ai ka ritheksuar se Kosova synon normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Serbinë, duke e vendosur njohjen reciproke në qendër të këtij procesi.
“Ne duam normalizim të plotë të marrëdhënieve me Serbinë, të përqendruar në njohjen reciproke. Nuk ka makinë kohe për t’u kthyer në shekullin e 20-të. Kosova është shtet i pavarur, republikë demokratike dhe sa më shpejt që Beogradi ta pranojë këtë, aq më mirë do të jetë për marrëdhëniet tona dhe për rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian”, ka përfunduar Kurti./Telegrafi/
2/2