
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Zvicrës, Ignazio Cassis, i cili njëkohësisht ushtron edhe detyrën e kryesuesit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).
Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka bërë të ditur se në takim është diskutuar për avancimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës, zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik dhe proceset integruese të vendit.
Ai ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Zvicrës ndaj Kosovës në zhvillim dhe demokratizim, ndërsa e ka falënderuar Cassis për zgjatjen e mandatit të Swisscoy dhe rritjen e numrit të ushtarëve që mund të marrin pjesë në kuadër të KFOR-it.
Kurti ka theksuar gjithashtu rëndësinë e hyrjes në fuqi të marrëveshjes EFTA, e cila, sipas tij, hap një kapitull të ri në tregtinë e lirë, duke përfshirë jo vetëm mallrat, por edhe shërbimet.
Në fund, Kurti ka bërë të ditur se Cassis e ka ftuar të marrë pjesë në Samitin e Dhjetë të Komunitetit Politik Evropian, që do të mbahet në Cyrih në prill të vitit të ardhshëm. Ndërkaq, ministri zviceran është ftuar për vizitë në Shtëpinë e Kosovës në Davos, në janar.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali