Në tryezën e diskutimit me temën “Shëndeti mendor”, të organizuar nga Zyra e Kryeministrit në bashkëpunim me UNICEF-in, Kurti ka theksuar se mirëqenia dhe shëndeti mendor i fëmijëve dhe të rinjve duhet të jenë pjesë e pandashme e politikave shtetërore.
“Raporti na dha një pasqyrë të rëndësishme të gjendjes, por edhe një sërë rekomandimesh për rrugën përpara. Pas lansimit, nga UNICEF-i kam kërkuar që të mblidhemi përsëri për të reflektuar mbi gjetjet, për të diskutuar në thelb rekomandimet dhe, mbi të gjitha, për të përcaktuar hapat që duhet të ndërmarrim si shtet për ta avancuar agjendën e shëndetit mendor në Kosovë”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka theksuar se takimi duhet të shërbejë si pikënisje për veprime konkrete.
“Prandaj, takimi i sotëm duhet të na çojë nga evidenca te veprimi. Tashmë kemi një dokument më të qartë që të i kuptojmë sfidat dhe nevojat. Përgjegjësia jonë tani është të përcaktojmë se ku duhet t’i përqendrojmë përpjekjet tona, cilat masa kërkojnë veprim prioritar dhe si mund të punojmë së bashku për të ndërtuar një sistem më të qëndrueshëm dhe më të qasshëm për mbështetjen e shëndetit mendor”, ka thënë ai.
“Shëndeti mendor nuk është dhe nuk mund të jetë përgjegjësi vetëm e një sektori. Ai lidhet me shëndetin, me mjedisin ku mësojnë fëmijët tanë, me familjet ku rriten, me shërbimet sociale dhe shëndetësore që i mbështesin, me sigurinë, komunitetet ku jetojnë dhe me mundësitë që krijojmë për ta”, ka theksuar Kurti.
Kreu i Qeverisë ka përmendur edhe disa nga masat e ndërmarra gjatë mandatit të tij në mbështetje të fëmijëve dhe familjeve.
“Si Qeveri, ne i kemi vendosur fëmijët dhe të rinjtë në qendër të politikave tona. Gjatë mandatit tonë qeverisës, kemi ndërmarrë hapa të rëndësishëm për mbështetjen e fëmijëve dhe familjeve në vendin tonë. Kemi filluar me ofrimin e shtesave për fëmijët dhe mbështetjen për nënat lehona, duke rritur gradualisht nivelin e kësaj mbështetjeje ndër vite”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka shtuar se ambicia e institucioneve është krijimi i një sistemi që investon në parandalim dhe identifikim të hershëm.
“Ambicia jonë është e qartë – të ndërtojmë një sistem që nuk reagon në kriza, por që investon në parandalim, identifikim dhe mbështetje të hershme. Një sistem ku fëmijët, të rinjtë dhe familjet e tyre e dinë se ku të drejtohen dhe ku mund ta marrin mbështetjen e duhur, në kohën e duhur”, ka thënë ai.
Kurti ka bërë të ditur se pas takimit pritet të nisin procedurat për krijimin e një grupi punues ndërinstitucional, me synimin e hartimit të dokumenteve strategjike kombëtare për shëndetin mendor.
“Pres që pas këtij takimi, ekipi im të nisë procedurat për krijimin e një grupi punues ndërinstitucional, që do të na ndihmojë në përcaktimin e një qasjeje të koordinuar dhe gjithëpërfshirëse për adresimin e shëndetit mendor, me synim përfundimtar hartimin e dokumenteve strategjike kombëtare në këtë fushë”, ka përfunduar Kurti.
Burimi: RTKLive
