Kurti shpreson që ndryshimet politike në Serbi të ndikojnë në dialogun me Kosovën

Kurti shpreson që ndryshimet politike në Serbi të ndikojnë në dialogun me Kosovën

Written by

in

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vlerësuar rezultatin e arritur nga përfaqësuesit politikë shqiptarë në zgjedhjet parlamentare në Serbi, ku Koalicioni Shqiptar siguroi dy ulëse në Kuvend me gjithsej 27.670 vota.

Në mbledhjen e 64-t të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, Kurti tha se ky rezultat përbën më të lartin e arritur nga shqiptarët në Serbi që nga viti 2000. Sipas tij, koalicioni mori 1.233 vota më shumë sesa në zgjedhjet e vitit 2020.

Ai e lidhi këtë sukses me bashkimin e subjekteve politike shqiptare, duke vlerësuar se ato kishin vendosur interesin e përbashkët para dallimeve partiake.

“Shqiptarët, ndonëse pakica e katërt kombëtare për nga popullsia në Serbi, u renditën të dytët për nga votat dhe të parët, së bashku me hungarezët, për nga mandatet ndër 9 listat e pakicave kombëtare. Ky rezultat është fryt i përbashkimit të subjekteve politike shqiptare, të cilat, përkundër dallimeve ndërmjet tyre, vendosën interesin e përgjithshëm mbi atë partiak”, tha Kurti.

Kreu i Qeverisë u ndal edhe te rezultatet e përgjithshme të zgjedhjeve në Serbi, duke përmendur ndryshimet në raportet politike. Ai tha se Lista Studentore doli e para, koalicioni i presidentit Aleksandar Vuçiq humbi shumicën parlamentare, ndërsa lista e Ivica Daçiqit nuk arriti të sigurojë përfaqësim në Kuvend.

Kurti vlerësoi se këto rezultate shënojnë humbje për pasardhësit politikë të Slobodan Millosheviqit dhe Vojislav Sheshelit, por shtoi se ende nuk është e qartë se kush do ta marrë pushtetin në Serbi.

“Aktualisht, ne e dimë kush e ka humbur pushtetin në Serbi, por ende nuk e dimë kush e ka fituar atë. Shpresojmë që ky ndryshim politik të shoqërohet edhe me ndryshimin pozitiv të qasjes së Beogradit zyrtar ndaj Republikës së Kosovës dhe shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë”, u shpreh ai.

Në fjalën e tij, Kurti përmendi edhe ballafaqimin me të kaluarën, ndryshimin e diskursit politik dhe demokratizimin e institucioneve në Serbi, duke i cilësuar këto si hapa të nevojshëm për normalizimin e marrëdhënieve me vendet fqinje.

Ai tha se zbardhja e krimeve të kryera ndaj civilëve shqiptarë, identifikimi i varrezave masive dhe sqarimi i fatit të personave të zhdukur mbeten detyrime ndaj viktimave dhe familjeve të tyre.

“Pa të vërtetën për të kaluarën, nuk mund të ndërtohet besimi për të ardhmen. Ne dëshirojmë marrëdhënie të mira fqinjësore, paqe e bashkëpunim, mbi bazën e barazisë dhe respektit të ndërsjellë. Prandaj, shpresojmë që zhvillimet e reja të hapin rrugën për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me njohjen e ndërsjellë”, tha Kurti.