
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se Qeveria synon të investojë mbi 1 miliard euro në ushtri gjatë mandatit aktual, duke theksuar se Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) po vazhdon të rrisë kapacitetet dhe të zgjerojë arsenalin e saj ushtarak.
Në një postim në Facebook, Kurti ka njoftuar se Ditën e Forcës e ka shënuar sot në Tiranë, në prag të 28 Nëntorit, Festës së Flamurit dhe 114-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.
Ai ka bërë të ditur se gjatë mandatit të kaluar buxheti për ushtrinë është trefishuar, ndërsa për mandatin aktual synohet që investimet në këtë sektor të tejkalojnë 1 miliard euro.
Sipas Kurtit, deri më tani janë rekrutuar 3,220 ushtarë të rinj, ndërsa Kosova po i afrohet përmbushjes së kapaciteteve ushtarake të planifikuara për vitin 2028. Ai ka theksuar se këto objektiva janë përshpejtuar për dy vjet.
Kreu i Qeverisë ka folur edhe për zgjerimin e arsenalit të FSK-së, duke krahasuar pajisjet që kishte kjo forcë më parë me kapacitetet aktuale. Sipas tij, për 12 vjet FSK-ja kishte në dispozicion vetëm një lloj pushke dhe një lloj pistolete, ndërsa gjatë qeverisjes së tij arsenali është zgjeruar në mbi 40 lloje sistemesh armatimi.
Kurti ka përmendur gjithashtu nënshkrimin e kontratës për ndërtimin e fabrikës së parë të municioneve në Kosovë. Ai ka thënë se fabrika do të jetë ndërmarrje publike dhe se prodhimi do të bëhet me markë 100 për qind vendore.
“Synimi ynë është i qartë, t’i dalim zot atdheut dhe ushtria jonë të jetë pjesë e NATO-s”, ka shkruar Kurti.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali