
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me ministrin e Shtetit të Irlandës për Çështjet Evropiane dhe Mbrojtjen, Thomas Byrne, në margjinat e Samitit të Liderëve të Procesit të Berlinit, që po mbahet në Mal të Zi.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka bërë të ditur se e ka falënderuar Byrne për përkrahjen e vazhdueshme të Irlandës ndaj Kosovës, si dhe për kontributin e këtij shteti në sigurinë e vendit përmes misionit të KFOR-it.
Kurti ka theksuar se më shumë se 3,000 pjesëtarë të ushtrisë irlandeze kanë shërbyer në Kosovë që nga viti 1999, ndërsa mbi 1,000 refugjatë shqiptarë nga lufta në Kosovë kishin gjetur strehim në Irlandë.
Gjatë takimit, sipas Kurtit, është diskutuar edhe për rrugën evropiane të Kosovës dhe hapat e nevojshëm për avancimin e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Ai ka theksuar se muaji nëntor është i rëndësishëm në këtë drejtim, duke shprehur pritjen që Raporti i Komisionit Evropian ta pasqyrojë progresin e arritur dhe që Kosova të marrë pyetësorin e Komisionit Evropian.
“Me partnerët tanë vazhdojmë të punojmë që progresi demokratik dhe përkushtimi evropian i Kosovës të përkthehen në hapa konkretë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, ka shkruar Kurti.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali