Kusari-Lila: Mbështetja e grave dhe bizneseve, prioritet i Qeverisë

Kusari-Lila: Mbështetja e grave dhe bizneseve, prioritet i Qeverisë

Written by

in

Kusari-Lila ka bërë të ditur se këto çështje janë diskutuar në aktivitetin e organizuar nga Kosova CSR Network, së bashku me drejtoreshën ekzekutive Zana Bajrami Rama.

“Si grua, nënë dhe ministre, besoj se suksesi profesional dhe jeta familjare duhet të ecin krah për krah. Zhvillimi i vërtetë nuk matet vetëm me atë që arrijmë në punë, por edhe me mundësinë për të qenë pranë njerëzve që kanë rëndësi për ne”, ka shkruar Kusari-Lila.

Ajo ka theksuar se gjatë pesë viteve të fundit, Qeveria e Kosovës ka punuar për krijimin e skemave mbështetëse për gratë, të rinjtë dhe fëmijët.

“Zgjerimi i rrjetit të kopshteve dhe, në të ardhmen, i institucioneve për kujdesin ndaj të moshuarve, krijon vlerë për qytetarët dhe ndihmon në lehtësimin e barrës së kujdesit familjar, e cila shpesh i mban gratë jashtë tregut të punës”, ka deklaruar ajo.

Sipas ministres, përmes skemave të granteve dhe programeve mbështetëse të MINTI-t, bizneseve po u krijohen mundësi për zhvillim, digjitalizim, inovacion dhe zgjerim në tregje të reja.

“Këto investime ndihmojnë edhe në krijimin e modeleve më fleksibile të punës dhe në ndërtimin e një balance më të mirë mes punës dhe familjes”, ka theksuar Kusari-Lila.

Ajo ka shtuar se ministria mbetet në dialog të vazhdueshëm me bizneset për të dëgjuar nevojat dhe sfidat e tyre, në mënyrë që politikat dhe mbështetja të jenë sa më konkrete dhe t’u përgjigjen sa më mirë këtyre nevojave. 

Burimi: RTKLive