Kush është 26-vjeçarja që u arrestua në aksionin “Kufiri 2” dhe cili ishte roli i saj në transportin e drogës?

Kush është 26-vjeçarja që u arrestua në aksionin “Kufiri 2” dhe cili ishte roli i saj në transportin e drogës?

Written by

in

Kush është 26-vjeçarja që u arrestua në aksionin “Kufiri 2” dhe cili ishte roli i saj në transportin e drogës?

Një grua nga Ferizaj, Albina Cani, është arrestuar në kuadër të operacionit policor “Kufiri 2”, nën dyshimin se ishte pjesë e një grupi të organizuar që tentoi të trafikonte marihuanë drejt Maqedonisë së Veriut.

Sipas dosjes së Prokurorisë Themelore në Ferizaj, të cilën e ka siguruar Insajderi, Cani, e lindur në vitin 2000, dyshohet se kishte rolin e përcjelljes dhe vëzhgimit të rrugës për automjetin në të cilin transportohej droga.

Ajo nuk ndodhej në veturën ku ishte fshehur substanca narkotike, por në një automjet tjetër, VW Tiguan, së bashku me të dyshuarin kryesor, shtetasin e Maqedonisë së Veriut, Avdush Nuhiji.

Sipas Prokurorisë, dyshohet se të dy udhëtonin përpara veturës Audi A6, me qëllim që të vëzhgonin rrugën dhe të siguronin kalimin e saj pa u ndaluar nga policia.

“Nga këto prova dhe të dhëna rezulton dyshimi se të pandehurit kanë vepruar në koordinim me njëri-tjetrin, duke ndarë paraprakisht rolet dhe detyrat, me qëllim të transportimit të substancës narkotike. Konkretisht, i pandehuri Avdush Nuhiji, së bashku me të pandehurën Albina Cani, dyshohet se kanë udhëtuar me automjetin VW Tiguan, duke përcjellë dhe vëzhguar rrugën para automjetit Audi A6, në të cilin transportohej substanca narkotike”, thuhet në dosjen e Prokurorisë, të siguruar nga Insajderi.

Operacioni “Kufiri 2” u karakterizua edhe nga një ndjekje policore që përfundoi me aksident trafiku.

Drejtuesi i Audi A6, Taulant Etemi, dyshohet se nuk iu bind urdhrit të policisë për t’u ndalur në postbllok dhe humbi kontrollin mbi veturën në afërsi të lokalit “Milenium”.

Aty, policia arriti ta ndalonte dhe të sekuestronte sasinë e marihuanës që transportohej me këtë automjet.

Ndërkohë, prokurori i rastit, Valdet Avdiu, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji ndaj Albina Canit dhe dy të arrestuarve të tjerë.

Kërkesa për paraburgim është arsyetuar me rrezikun e ikjes së të dyshuarve, mundësinë e ndikimit në dëshmitarë dhe rrezikun e përsëritjes së veprës penale. Në dosje theksohet se disa persona të tjerë që dyshohet se janë të përfshirë në këtë rrjet ende ndodhen në arrati.

“Nuk bëhet fjalë për veprime të rastësishme apo të izoluara, por për një mënyrë të organizuar të veprimit, ku secili nga të pandehurit dyshohet se ka pasur rol të caktuar në realizimin e transportit të substancës narkotike”, thuhet në dosjen e Prokurorisë së siguruar nga Insajderi.

Lexo edhe:

Burimi: Insajderi